Kryeministri Edi Rama ka vijuar përplasjen publike me drejtuesin politik të Partisë Demokratike në Elbasan, Tomor Alizotin, duke përdorur ironi dhe sulme të hapura ndaj deklaratave të këtij të fundit. Në një postim në rrjetet sociale këtë mëngjes, Rama ka shpërndarë një video montazh ku fytyra e Alizotit zëvendësohet me atë të një bretkose, ndërsa në sfond dëgjohet një pjesë e deklaratës së tij të dhënë një ditë më parë nga Librazhdi:
“Do t’ju hamë të gjallë nëse prekni demokratët.”

Krahas videos, Rama shkruan:
“Vajmedet vajmedet… Mirë lajthitën e rrëshqitën po pse të tërë menjëherë, do thoshte Shvejku”, duke iu referuar me ironi personazhit satirik të letërsisë evropiane.

Kryeministri nuk është ndalur vetëm në rrjetet sociale. Edhe një ditë më parë, gjatë një takimi në Kuçovë, ai e kishte ironizuar Alizotin duke e quajtur “Ludovik”, në referencë të një personazhi filmik që, sipas tij, përfaqësonte sjellje të çrregullta dhe retorikë të papërmbajtur.

“Ludoviku thoshte ‘do u hamë të gjallë’. Kështu Ludovik i them Tomor Alizotit… Ky është çyryk, nuk është normal,” u shpreh Rama.

Ai vazhdoi me një sërë akuzash ndaj opozitës, duke e përshkruar si një grup njerëzish “të lodhur” dhe “të mbaruar”, të cilët sipas tij nuk kanë asnjë alternativë dhe flasin për popullin në emër të frikës dhe kaosit.
“Natën thonë se populli është i sëmurë, edhe pse sondazhet thonë se PS fiton,” shtoi ai.

Përplasja vjen në një klimë gjithnjë e më të tensionuar politike përpara zgjedhjeve të 11 majit, ku gjuha e ashpër dhe ironitë personale po bëhen gjithnjë e më të zakonshme. Retorika e ndezur dhe karikaturimi i kundërshtarëve duket se janë bërë pjesë e pandashme e betejës elektorale në të dy kampet.