Një shtetas shqiptar 28 vjeç është denoncuar në policinë greke nga një 44-vjeçare polake që banon në ishullin e Rodosit. Gruaja e akuzon atë se i ka marrë mbi 15 mijë euro përmes mashtrimit dhe se më pas e ka kërcënuar me publikimin e fotografive të saj intime.

Sipas mediave greke, rasti shtrihet në një periudhë rreth dyvjeçare. 44-vjeçarja pretendon se gjatë viteve 2023 dhe 2024 shqiptari i kishte paraqitur një sërë informacionesh dhe rrethanash të pavërteta, duke arritur ta bindte që t’i jepte vazhdimisht para.

Pagesat dyshohet se janë kryer në disa këste dhe, sipas kallëzimit të depozituar në polici, shuma e përgjithshme që ka përfituar 28-vjeçari arrin në 15 417 euro.

Gruaja pretendon se vetëm më vonë ka kuptuar se informacionet mbi të cilat kishte vendosur t’i jepte paratë nuk ishin të vërteta. Në këtë moment ajo i ka kërkuar të riut kthimin e shumës, por konflikti mes tyre dyshohet se është përshkallëzuar.

Sipas dëshmisë së 44-vjeçares, shqiptari e ka kërcënuar se fotografi të saj nudo do t’ua dërgonte fëmijëve, nëse ajo vazhdonte t’i kërkonte paratë.

Pas këtyre kërcënimeve të pretenduara, gruaja i është drejtuar policisë dhe ka bërë kallëzim, duke paraqitur versionin e saj për mënyrën se si kishte humbur paratë dhe për presionin që thotë se kishte pësuar më pas.

Çështja tashmë është në duart e autoriteteve greke. Hetuesit pritet të shqyrtojnë transaksionet dhe mënyrën e dhënies së 15 417 eurove, si dhe të verifikojnë nëse ekzistojnë komunikime apo prova të tjera që mbështesin pretendimet e 44-vjeçares për mashtrim dhe kërcënim.