Pas Shkodrës, Lezhës, Durrësit dhe Fierit, ndalesa e radhës për autobusin e Partisë Mundësia ishte Vlora.

Kreu i partisë Agron Shehaj, teksa takonte qytetarët vlonjatë, u shpreh se synimi i forcës së tij politike në këtë qark është të marrë 2 mandate.

I pyetur nga qytetarët në rrjetet sociale se si parashikonte të ishte aktiviteti i tij politik në Parlament në sesionin e ri, Shehaj tha se bashkë me deputetët e tjerë të Partisë Mundësia do t’ua nxijë jetën pushtetarëve që vjedhin popullin shqiptar. Shehaj thotë me bindje se “Mundësia” do të bëjë një opozitë që nuk është bërë kurrë në Shqipëri në këto 34 vite.

“Ne do u nxijmë jetën. Ne do bëjmë një opozitë që nuk është bërë kurë në Shqipëri në këto 34 vite. Jo sepse kemi ndonjë gjë me ata, sepse nuk kam asgjë personale, por sepse po vjedhin paratë e qytetarëve shqiptarë. Të vjedhësh popullin më të varfër në Europë është e patolerueshme”, tha Shehaj.

Pas Vlorës, autobusi i Mundësisë është nisur drejt fshatit Kotë, për ta mbyllur në fund me Sarandën udhëtimin 12 orarësh për çeljen e fushatës elektorale, e cila do të kulmojë të dielën e 13 Prillit në Pallatin e Kongreseve në orën 17:00.