22-vjeçarit Enkrist Kola, i cili ka humbur kontaktet me familjen që prej datës 13 shtator, nuk është gjetur ende as nga policia e as nga familjarët e tij, të cilët e kërkojnë prej më shumë se dy javësh.
Kamerat e sigurisë të bizneseve në Fushë-Arrëz kanë kapur lëvizjet e 22-vjeçarit në zonë para se te humbe gjurmët. Vëllai i tij, Denis Kola ka rrëfyer se i vëllai përpara se të largohej nga banesa i ka thënë të atit se do të takohej me një burrë dhe që nga ai moment, nuk ka folur më me askënd nga familja.

“Ora ka qenë 7:30-08:00 dhe në momentin që ka dalë nga shtëpia i ka thënë babait që ‘do të dalë se do të vijë një burrë të më marrë’. I ka thënë babai kush është ai burrë, ai i ka thënë që nuk e njoh. Ai ka qenë me probleme mendore dhe nuk ja ka marrë për bazë. Kur është kthyer babai, nuk e ka gjetur në shtëpi. Pasi jam kthyer në ora 10:00 në shtëpi, më thotë babai se vëllai ka dalë. Kam pritur pak dhe më pas e kam kërkuar në të gjithë qytetin, por nuk e gjeta dot atë natë”-, tha vëllai i 22-vjeçarit për News24.
Më tej, vëllai i Enkrist Kolës thotë se 22-vjeçari ka marrë me vete celularin e babait, por pavarësisht tentativave të shumta ai nuk iu përgjigj thirrjeve telefonike.
“Kishte marrë telefonin e babait me vete, i bija telefonit, i shkonte thirrja nuk përgjigjej. Kaluan 48-orë dhe babai bëri denoncim në polici. E vetmja mënyrë, për të hedhur gjurmë mbi të vërtetën është të gjurmohen lëvizjet e tij përmes qelizave telefonike. Por, ai e ka patur të fikur. Kemi bërë denoncimin, e kemi lënë në dorë të institucioneve, ata deri tani na kanë thënë që nuk kemi asnjë lloj informacioni, nuk e dimë për fatin e tij”,– tha ai.