Policia e shtetit ka dhënë detaje në lidhje me operacionin e zhvilluar mbrëmjen e djeshme, në qytetin e Vlorës.

Sipas uniformave blu, operacioni është ndërmarrë për të parandaluar një ngjarje të rëndë kriminale, teksa në pranga kanë rënë dy persona, të cilët dyshohet se do të kryenin një vrasje brenda lokalit.

Policia informon se në pranga kanë rënë Santiljano Basho dhe Bruno Shehu, të cilët janë pjesë e një grupi të rrezikshëm kriminal.  Basho është vëllai i Tesilvan Bashos, i njohur si Tesi i Selenicës, i akuzuar për një sërë krimesh në Itali dhe Shqipëri dhe i dënuar me burgim të përjetshëm.

Këta dy persona kishin hyrë në lokal të armatosur dhe po planifikonin të vrisnin një person, por fatmirësish ngjarja është parandaluar.

Ndërkohë, policia ka ndaluar edhe 4 shtetas të tjerë nën akuzë për moskallëzim krimi, teksa 3 prej tyre ishin pjesëtarë të të njëjtit grup kriminal.

Njoftimi i policisë:

Ndërhyrja e menjëhershme e shërbimeve policore parandalon një ngjarje të mundshme kriminale kundër personit, e cila do të kryhej me disa armë zjarri.

Të armatosur në një lokal, me 2 pistoleta të gatshme për qitje, kapen në flagrancë dhe vihen në pranga 2 shtetas, pjesëtarë të një grupi kriminal të rrezikshëm.

Në pranga dhe 4 shtetas të tjerë, për moskallëzim të krimit, 3 prej të cilëve pjesë e grupit kriminal me 2 shtetasit e armatosur.

Të arrestuarit, me precedent të mëparshëm kriminal në fushën e krimeve të rënda kundër personit.

Sekuestrohen 2 armë zjarri pistoleta, municion luftarak, 3 automjete, 2600 euro dhe 8 celularë.

Në vijim të operacioneve të zhvilluara nga Policia e Vlorës, me qëllim parandalimin e ngjarjeve kriminale, vënien në pranga të shtetasve të rrezikshëm për komunitetin, pjesëtarë të grupeve kriminale, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë kanë siguruar informacion për 2 shtetas që qendronin të armatosur, në një lokal në Vlorë, të cilët mund të kryenin ngjarje të rëndë kriminale, kundër personit. Në bazë të këtyre informacioneve, në bashkëpunim me Forcat Speciale “RENEA”, u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “Obelisk”, si rezultat i të cilit u vunë në pranga shtetasit:

-S. B., 37 vjeç, banues në Vlorë, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”;

-M. A., 33 vjeç, banues në Vlorë, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”;

-B. Sh., 29 vjeç, banues në Vlorë, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”;

-M. H., 27 vjeç, banues në Vlorë, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”;

-B. Xh., 29 vjeç, banues në Vlorë, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”;

-K. M., 28 vjeç, banues në Vlorë, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.

Këta shtetas, pjesëtarë të një grupi kriminal të rrezikshëm dhe me precedentë të mëparshëm kriminal, në fushën e krimeve të rënda kundër personit, u kapën në flagrancë, në ambientet e një lokali, në lagjen “Lef Sallata”. Gjatë kontrolleve fizike dhe në këtë lokal, shërbimet e Policisë iu gjetën shtetasve S. B. dhe M. A., dy armë zjarri pistoleta (“Glock” dhe “TT”), me fishekë në fole, të gatshme për qitje. Armët u sekuestruan me cilësinë e provës materiale, së bashku me 3 automjete që posedonin shtetasit e arrestuar, 2600 euro dhe 8 celularë.

Ndërkaq, 4 shtetasit e tjerë të arrestuar, dyshohet se kanë pasur dijeni për 2 shtetasit e armatosur dhe nuk kanë kallëzuar krimin.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.