Pas protestës së ditës së djeshme në dyert e bashkisë së Shkodrës, banorët e Rrjollit, janë pritur sot në takim nga kryebashkiaku Benet Beci, për të kërkuar sqarime mbi projektin e kompanisë “Gener 2” të Bashkim Ulajt në Velipojë. Banorët pretendojnë se Ulaj u ka zaptuar tokën.
Banorët thanë se kryebashkiaku Beci u ka treguar se nuk ka asnjë kompetencë për atë zonë dhe se u ka kërkuar banorëve të bëjnë një kërkesë me shkrim për të marrë të gjithë informacionin e nevojshëm për lejen e ndërtimit të lëshuar për Bashkim Ulajn. Banorët thanë se protesta e tyre do të vazhdojë e po të jetë e nevojshme do t’i drejtohen ambasadës së SHBA-së ndërsa shtojnë se kanë humbur çdo shpresë nga shteti.
“Kryetari i bashkisë na priti mirë. Ai nuk kishte asnjë lloj kompetence, ai tha e kam 0 kompetencën. Kuptohet tha që është e padrejtë po ligji është bërë i tillë tha që na kanë hequr kompetencat për territorin bregdetar. Kompetenca ime është tha që të informoj se çfarë pozicioni tha kam lidhur me lejen e ndërtimit. Na tha bëni një kërkesë me shkrim dhe unë t’jua jap të gjithë përgjigjen sipas informacionet.
Unë e di që informacioni e tij është zero. Nuk pres që ai të na japë një përgjigje për atë që kërkoj unë. Për dëgjesën publike tha nuk është kompetencë e bashkisë. Unë e di që kërkesa për të bërë një dëgjesë publike është e bashkisë. Nuk presim asnjë shpresë nga ministra dhe kryeministri. Ne do të shkojmë deri para ambasadave të BE dhe asaj amerikane. Ose të na largojnë prej këtu, ose do të vritemi”, tha Prekë Molla, përfaqësues i banorëve të Rrjollit.



