Policia e Lushnjës ka kapur një 39-vjeçar, i cili dyshohet se dogji automjetin e një qytetari, me porosi të një 28-vjeçari.
Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur për konflikte pronësie mes porositësit dhe xhaxhait të pronarit të makinës së djegur.
Sipas njoftimit të Policisë, menjëherë pas kallëzimit të shtetasit D. V., që automjeti i tij u dogj pranë banesës në fshatin Pluk, u organizuan veprime operacionale dhe hetimore për të përcaktuar autorësinë dhe rrethanat e ngjarjes.
Si rezultat i veprimeve të hetimit, u identifikua dhe u arrestua autori i dyshuar i djegies, shtetasi Mario Biti, 39 vjeç, banues në të njëjtin fshat.
Gjithashtu, u identifikua edhe shtetasi që dyshohet se porositi kryerjen e këtij krimi, Andi Zaimi, 28 vjeç, i cili ka pasur konflikte për motive pronësie me xhaxhain e D. V. Policia po punon intensivisht për kapjen e tij.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Fierit për veprime të mëtejshme.
