Policia e Lezhës arrestoi një 57-vjeçar, i dyshuar se shkaktoi zjarrin që dogji një sipërfaqe të madhe pyjore në malin e Shëngjinit, pasi i vuri flakën mbeturinave pranë biznesit të tij.

Sipas hetimeve, ai hoqi edhe DVR-në e kamerave të sigurisë për të penguar zbardhjen e ngjarjes.

Në përfundim të veprimeve procedurale, u arrestua shtetasi Bashkim Alija 57 vjeç, banues në Shëngjin, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës nga pakujdesia”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, “Shkatërrimi nga pakujdesia me zjarr i pyjeve dhe mjedisit pyjor” dhe “Plagosje e lehtë nga pakujdesia”.

Njoftimi zyrtar i Policisë

Shëngjin

I vuri zjarrin mbeturinave dhe tentoi të fshihte provat, pasi zjarri përfshiu një sipërfaqe të madhe pyjore
në malin e Shëngjinit,
falë reagimit dhe veprimeve të shpejta identifikohet dhe arrestohet autori i dyshuar i zjarrvënies.

Në vijim të veprimeve hetimore për zbardhjen e rrethanave të zjarrit të rënë në zonën e Shëngjinit, specialistët për hetimin e krimeve në Komisariatin e Policisë Lezhë arrestuan në flagrancë një shtetas 57-vjeçar.

Ky shtetas dyshohet se më datë 03.07.2026, në vendin e quajtur “Sagë”, Shëngjin, ka ndezur zjarr për djegien e disa mbeturinave pranë subjektit të tij tregtar, por zjarri ka dalë jashtë kontrollit, duke përfshirë dhe djegur sipërfaqe të madhe pyjore në malin e Shëngjinit.

Gjithashtu, gjatë përhapjes së flakëve, në terren ka ndodhur një shpërthim, i dyshuar si i shkaktuar nga një predhë luftarake e pashpërthyer, e cila ka shpërthyer si pasojë e zjarrit në zonën malore. Si pasojë është dëmtuar shtetasi A. U., 30 vjeç, i cili ndodhej si pasagjer në një automjet që ishte në lëvizje në zonë. Ai ka marrë menjëherë ndihmën mjekësore dhe ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore.

Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes ka rezultuar se nga ana e shtetasit të dyshuar është hequr DVR-ja e subjektit, me qëllim pengimin e zbulimit të së vërtetës.

Në përfundim të veprimeve procedurale, u arrestua shtetasi B. A., 57 vjeç, banues në Shëngjin, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës nga pakujdesia”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, “Shkatërrimi nga pakujdesia me zjarr i pyjeve dhe mjedisit pyjor” dhe “Plagosje e lehtë nga pakujdesia”.

Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë apelon për kujdes maksimal nga qytetarët, duke i ftuar të mos ndërmarrin veprime që mund të shkaktojnë zjarrvënie, pasi do të përballen me ligjin.

Gjithashtu, fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të paligjshmërisë në numrin 112, duke iu garantuar anonimat dhe reagim të menjëhershëm.