Gjykata e Vlorës ka vendosur të lërë në burg 24-vjeçarin Nertil Zotaj, i cili akuzohet se ka sulmuar me acid sanitar gjyqtaren Mirela Mishgjoni. I riu ka pranuar fajësinë, duke shfaqur shenja pendese përpara togave të zeza, të cilat sot janë vendosur për vlerësimin e masës së sigurisë.
Organi i akuzës ka rindërtuar ngjarjen e ndodhur mëngjesin e 16 janarit, në lagjen “29 Nëntori”, të Vlorës. Prokurori i çështjes ka kërkuar dhënien e masës së sigurisë “burg pa afat” për 24-vjeçarin, gjë që është pranuar nga trupi gjykues. Zotaj ka qenë i arrestuar më parë së bashku me vëllain për vjedhjen e një pompe uji në një kalçeto.
Dy vëllezërit Zotaj janë gjykuar dhe dënuar nga gjyqtarja Mishgjoni me 11 muaj burg dhe 150 mijë lekë gjobë. Masa e dënimit është vlerësuar e tepruar nga Zotaj, i cili ka vendosur të hakmerret ndaj gjyqtares. Ai ka deklaruar se ideja e hedhjes së acidit në fytyrë i kishte lindur gjatë vuajtjes së dënimit në burg. “Për vjedhjen e një pompe që kushtonte 3 mijë lekë, ajo më dënoi mua dhe vëllain me 11 muaj burg dhe 150 mijë lekë gjobë. Kjo është absurde. Gjyqtarët dënojnë më pak edhe vrasësit. Ajo më dënoi më shumë sesa e përmban ligji, si dhe më nxori disa ditë me vonesë nga burgu, duke mos zbatuar afatet e dënimit. Unë dhe vëllai duhej të dilnim nga burgu më datën 16 dhjetor, por ajo na nxori më 12 janar”, ka deklaruar ai pas arrestimit.
24 janar 2013 (gazeta-Shqip.com)