Në kuadër të dosjes “Plumbi i Artë”, Henrik Hoxhaj ka dhënë një dëshmi të detajuar në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), lidhur me konfliktin e tij të hershëm me Ismet Boriçin. Ai ka shpjeguar origjinën e këtij konflikti dhe ka përmendur ngjarje të rëndësishme që lidhen me plagosjen e tij dhe motivet e hakmarrjes, si dhe një ngjarje të armatosur të ndodhur në vitin 2018.

Sipas dëshmisë së Hoxhajt, konflikti me Boriçin ka filluar që në vitin 1999, për shkak të një problemi që shoku i tij i fëmijërisë, Vrion Kallanxhiu, kishte pasur me vëllezërit Boriçi. Hoxhaj ka theksuar se ky konflikt ka qenë një pikë kthese që ka pasur ndikim në marrëdhëniet e tij me Boriçin dhe ka çuar në një sërë ngjarjesh të dhunshme.

Gjithashtu, Hoxhaj ka folur për një ngjarje tjetër të rëndësishme në vitin 2004, ku ai ka mbetur i plagosur dhe ka pretenduar se autor i plagosjes ka qenë Ismet Boriçi. Kjo ngjarje, sipas tij, ka qenë një tjetër shkak që ka përshkallëzuar konfliktin dhe ka kontribuar në motivet e hakmarrjes që kanë pasuar më vonë, duke përfshirë ngjarjen e armatosur të vitit 2018.

“Konflikti ka ndodhur në vitin ’99–2000. Një shok i imi i fëmijërisë ka pasur probleme me vëllezërit Boriçi. Arsyeja ka filluar në vitin 2004, kur unë duke ikur për në shtëpi jam plagosur me 3 plumba. Ismet Boriçi i ka plagosur vëllain Viron Kallanxhiut, shokut tim të fëmijërisë, që tani është në burg. Boriçët janë fis i madh. U krijua një situatë kot, pa lidhje, “pse më sheh”. Ai nxori armën, unë ia kapa armën te tyta. Ai më qëlloi. Unë ika me vrap, aty më mori dikush. Unë rrija me këtë shokun tim, më shkoi mendja mua që kishte lidhje me shokun tim që më qëlloi, se unë me njeri tjetër nuk kisha probleme. E dija historinë e Vironit me Boriçin. Vironi kishte ndërmarrë një veprim ndaj tij, e kishte goditur Ismetin në ’99 në Itali. Unë doja të mbaroja punë me të. Të mbaroja punë, ta vrisja pra… ç’a ta qirasja? Ai më gjuajti mua”, ka thënë ai.

Ndërkohë ai pranoi para trupit gjykues se synimi i tij ishte hakmarrja, duke sqaruar se Viron Kallanxhiu nuk kishte dijeni për planin e tij dhe nuk kishte marrë pjesë në asnjë formë.

Duke iu referuar ngjarjes së vitit 2018, Hoxhaj tregoi se “kishte siguruar një automjet tip Renault të vjedhur dhe një pistoletë Glock, ndërsa bashkëpunëtor kishte një person të quajtur Skerdi, i cili, sipas tij, ishte në dijeni të situatës. Ata kishin vëzhguar disa herë pronën e vëllezërve Boriçi dhe kishin planifikuar goditjen.”

“Skerdi qëlloi nga vendi i pasagjerit, por arma iu bllokua. Mjeti ynë kishte xhama të zinj dhe targa të huaja, ndaj ata na pikasën. Plumbat u ndalën nga xhami dhe ata u gërvishtën lehtë”, dëshmoi Hoxhaj.

Në përgjigje të pyetjeve të prokurorit Behar Dibra se ku ai i godit, Hoxhaj tregoi:

“Ky ka një lokal te gjimnazi i ri, kanë një shtëpi trekatëshe. Ishin ulur në tavolinë, vetëm. Brenda nuk e di kush ishte, ndoshta kishte njerëz. Ata e nuhatën, mjeti jonë ishte me xhama të zinj, me targa të huaja. Tani ata me probleme janë edhe mua, po të më dalë para një makinë, do iki. Skerdi qëlloi me 2 plumba dhe pastaj iu bllokua arma. Pastaj ata u futën në lokal dhe ikën në shtëpi. Nuk dolëm nga makina. Armët i kemi pasur në shtëpi, kanë mbetur aty.”