MASH rimerr situatën në dorë. Draft i ri për studimet e nivelit të tretë


Shpresa Mezini


Aktualisht, studimet e doktoraturës, përveçse në universitetet publike të vendit, ofrohen edhe në 4 universitete private.


Burime në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës bëjnë me dije se licencën për të ofruar studimet e nivelit të tretë, të doktoraturës, e kanë vetëm 4 universitete private.


Kjo përkon edhe me deklaratën e zëvendësrektorit të Universitetit të Tiranës, Ervin Demo, dhënë disa ditë më parë për gazetën “Shqip”. Zv.rektori i UT-së pohoi se nga të dhënat që disponon, rezulton se vetëm 4 universitete private që operojnë në vend e kanë të drejtën për të zhvilluar studimet e doktoraturës.


Mirëpo, ndërsa të dhënat zyrtare tregojnë se vetëm 4 universitete private e kanë licencën, praktika tregon tërësisht të kundërtën. Çdo ditë, po sidomos në muajt tetor, nëntor, e njëjta periudhë për çdo vit, një hapësirë të konsiderueshme të minutazhit të publiciteteve e zënë universitetet private që reklamojnë ofertat e tyre për studimet e doktoraturës. Ndonëse deri këtu gjithçka duket korrekte, problemi është se numri i tyre është mbi 4. Kështu, edhe pse MASH u ka dhënë leje vetëm 4 universiteteve private për të ofruar zhvillimin e studimeve të nivelit të tretë, doktoraturat në fakt e ofrojnë 5 apo 6 universitete private. Ky fakt cenon studentët, të cilët pajisen me diplomë doktorature, mbi baza të rreme, njëkohësisht Ministrinë e Arsimit, duke qenë se gjasat tregojnë se kontrolli që ajo ushtron nuk është efikas, për sa kohë universitetet private i hartojnë politikat sipas kokës së tyre.


Projektvendimi


Siç duket, deklaratat e bëra publike së fundmi, mbi faktin që universitetet private po abuzojnë me doktoraturat, kanë ndikuar pozitivisht. Nisur nga dyshimet e ngritura së fundmi mbi universitetet që e kanë licencën, apo për cilësinë që ofrojnë ato që e kanë këtë të drejtë, reagon Ministria e Arsimit.


Kështu, rregullat apo kriteret që duhet të plotësojnë palët, qofshin kandidatët apo udhëheqësit e tyre do të jenë më të rrepta se ato aktuale. “Stafi akademik që gëzon titullin ‘Profesor’ ka të drejtë të udhëheqë paralelisht deri në 5 doktorantë. Titulli tjetër, grada ‘Profesor i Asociuar’ dhe ‘Doktor’ deri në 2 doktorantë dhe stafi akademikë me titullin ‘Profesor’ po me kohë të pjesshme, ka të drejtë të udhëheqë vetëm një doktorant”, sqaroi Edlira Late, drejtoresha e arsimit të lartë privat në Ministrinë e Arsimit. Ajo theksoi se kandidati ndërkaq duhet të plotësojë edhe disa kushte specifike, duke përjashtuar mundësinë që të drejtën për të zotëruar titullin profesor, doktor, e kanë të gjithë aplikantët. Duke iu referuar deklaratës së saj, rezulton se kandidati duhet të ketë realizuar si autor i parë së paku tre referime shkencore, të ketë marrë pjesë në konferenca, kongrese shkencore, trajnime si dhe të ketë dhënë provimin e gjuhës angleze, mbi bazën e testeve të njohura ndërkombëtare. Këto, sipas drejtoreshës së arsimit të lartë privat në MASH, do të jenë disa nga pikat kyçe, ku do të referohen ndryshimet në projektvendimin për doktoraturat, që do të bëhet publik në vijim. Drafti i ri synon mbi të gjitha të eliminojë elementët abuzivë dhe të nxisë cilësinë.