Partia Demokratike ka paraqitur kërkesën e saj për ndryshime në vendimet që lidhen me ngritjen e Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore dhe atij për Reformën Territoriale, duke kërkuar përfaqësim të balancuar mes pozitës dhe opozitës. Sipas demokratëve, komisionet duhet të strukturohen mbi bazën e një ndarjeje më të drejtë të anëtarëve, në mënyrë që të garantohen vendimmarrje gjithëpërfshirëse dhe konsensuale.

Për Reformën Zgjedhore, PD propozon që komisioni të ketë 16 anëtarë: 8 nga Partia Socialiste, 6 nga Partia Demokratike dhe nga 1 përfaqësues nga grupi parlamentar “Aleanca për Ndryshim” dhe Partia e Lirisë. Ky model, sipas opozitës, duhet të zbatohet edhe për komisionin e reformës territoriale, në mënyrë që të garantohet një proces realisht i hapur dhe i balancuar.

Një tjetër element që PD kërkon të përfshihet në funksionimin e komisioneve është praninë e institucioneve ndërkombëtare me ekspertizë, si Kongresi i Autoriteteve Lokale dhe Rajonale pranë Këshillit të Europës. Në rastet kur palët nuk arrijnë konsensus për çështje të veçanta, demokratët propozojnë që ato të adresohen për vlerësim dhe opinion pranë Komisionit të Venecias dhe Kongresit të Autoriteteve Lokale.

Sipas PD-së, përfshirja e faktorëve ndërkombëtarë dhe krijimi i një ekuilibri në përfaqësim janë thelbësore për të garantuar një reformë të besueshme dhe të pranuar nga të gjitha palët.