Mbledhja e një dite më parë e kryeministrit Edi Rama me deputetët dhe kabinetin qeveritar është shoqëruar edhe me tensione e përplasje.
Kreu i PS ka debatuar me deputetin Erion Braçe i cili më pas ka lënë edhe mbledhjen.
Gjatë diskutimeve me dyer të mbyllura Rama ka patur kritika ndaj të tijve për mënyrën e përballimit të protestave apo edhe lënien pa përgjigje të shqetësimeve të qytetarëve.
Por, pas fjalës së Braçes, replika është kthyer në përplasje të ashpër verbale, gjë që ka detyruar kreun e grupit të PS Taulant Balla të kërkojë pushimin për disa minuta të mbledhjes.
“Kjo është njësoj si teknologjia e vezës, asaj vezës që qëllohen deputetë pa asnjë shkak, pa u ditur as emrin një pjese, por është në të njëjtën linjë, synon vetëm linçimin, ndaj është “vrasje me pagesë” në politikë. Dje para se të nisja të flisja, u kërkova kolegëve të mos nxirrnin përjashta asgjë nga ato që unë do flisja aty. Ja që ndodhi kjo që lexova, madje edhe e transformuar.
Tani meqë dje u mor një angazhim për të bërë shembull njërin ndër ata që nxjerrin fjalët e shtëpisë për të vrarë politikisht atë tjetrin atje matanë, unë mezi pres që të mbahet fjala. Pra të bëhet shembulli. Mua dje nuk më ka nxjerrë askush jashtë, jam ulur sepse nuk kam patur cfarë të them më, e pasi kam thënë aty , e në mbledhjen pararendësie, gjithçka që thonë socialistët prej 1 viti. Kam dalë jashtë vetë sepse nuk kam patur më cfarë të dëgjoja. Kjo është e vërteta”, tha Braçe.
