Banorët e Vaut të Dejës kanë dalë në protestë pranë qendrës shëndetësore të zonës, pas tragjedisë së dy ditëve më parë ku humbën jetën 46-vjeçari David Deda dhe 40-vjeçari Sokol Preka.
Dy burrat ndërruan jetë pasi ranë në kontakt me energjinë elektrike në ambientet e një lokali në fshatin Karmë.
Protestuesit deklarojnë se ambulanca ka mbërritur rreth një orë e gjysmë pas njoftimit për ngjarjen. Sipas tyre, kjo vonesë mund të ketë ndikuar në mundësinë për t’u dhënë viktimave ndihmë në kohë.
Banorët kërkojnë që qendra shëndetësore të funksionojë 24 orë dhe që zona të ketë një ambulancë të përhershme, në mënyrë që rastet emergjente të mos varen nga mbërritja e mjeteve nga zona të tjera.
“Kjo ndodh nga mungesa e shtetit, mungesa e ambulancës, mjekëve, infermierëve. Ne s’kemi urgjencë, ambulancë, ka 3 muaj. Jemi 50 e ca mijë banorë, s’kemi ambulancë e urgjencë. Në mungesë të ambulancës është dashur 1 orë e gjysmë të vijë, prandaj kanë vdekur djemtë. Kërkojmë që qendra shëndetësore të bëhet urgjencë, të ketë 24 orë shërbim.”-u shpreh një banor i zonës.
Banorët thonë se mungesa e një shërbimi të përhershëm urgjence i lë banorët pa ndihmë të menjëhershme në raste të rënda.
“Janë dy jetë të humbura, nesër mund të ketë tragjedi më të mëdha. Janë vëllezërit tanë, jemi rritur me ta. Qendra shëndetësore duhet 24 orë. Sokoli e Davidi s’janë më, sa njerëz duhet të ikin? Sot kemi dalë për vëllezërit tanë, familjet e tyre, ne që kemi zgjedhur të jetojmë këtu.”-tha një tjetër banor.
Në protestë mori pjesë edhe motra e Sokol Prekës. Mes lotësh, ajo kërkoi drejtësi për vëllain dhe David Dedën, ndërsa ngriti akuza për mungesën e ndihmës mjekësore në kohë.
“Sot vdiqën dy vëllezër, Sokoli dhe Davidi. Dolën për të pirë kafe dhe u kthyen të vdekur. Spitali i Vaut të Dejës nuk ekziston, nuk ka ndihmë e asgjë. Duam drejtësi për djemtë që vdiqën atje. Shkuan për një kafe dhe nuk na u kthyen më.”-ka thënë e prekur motra e Sokol Prekës.
