Gjykata e Lartë 


Domart KonjariGjykata e Lartë i dha të drejtë Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda, të cilët patën liruar nga burgu Domjart Konjarin. Për lirimin e tyre, ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, krahas ndjesës urdhëroi edhe inspektimin e kësaj dosje, për të verifikuar nëse janë zbatuar procedurat ligjore. Për lirimin e Konjarit, reagoi edhe ambasada franceze, duke i kujtuar qeverisë shqiptare se autoritetet e drejtësisë së tyre kanë harxhuar miliona euro për të ndjekur dhe gjurmuar e dënuar Konjarin dhe bandën e tij.


Por pavarësisht këtyre, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, të mbledhur në dhomën e këshillimit, vendosën të mos pranojnë ankimin e prokurorisë. Pas këtij vendimi, mbetet në fuqi ai i dhënë nga Gjykata e Apelit për Krime të Rënda, të cilët vendosen ndryshimin e masës së sigurisë për Konjarin, nga ajo e “arrestit me burg” në masën “detyrim për paraqitje”. Ndryshimi i kësaj mase sigurie, u bë me arsyetimin e shkeljeve procedurale, që nuk u respektuan nga gjykata dhe prokurori.


42-vjeçari Konjari ishte arrestuar për akuzën e falsifikimit të dokumenteve dhe korrupsionit në nëntor të 2015, por tri ditë më pas prokurorët francezë kanë depozituar kallëzim penal ndaj Konjarit duke renditur të gjithë veprimtarin e tij kriminale.


Ai po hetohet me masën detyrim paraqitjeje, ndërsa ka shkuar disa herë i lirë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, megjithëse për të u ankua edhe ambasadori francez në Tiranë. Në letrën që ia ka dërguar KLD-së, ministrit të Drejtësisë, Prokurorit të Përgjithshëm, ministrit të Brendshëm dhe Kryeministrit, ai shkruan se Franca ka shpenzuar miliona euro për hetimin e Konjarit dhe grupit të tij, ndërkohë që Shqipëria nuk ka respektuar Konventën Europiane për ndihmë të ndërsjellë gjyqësore në fushën penale.


Sipas dosjes, Gjykata e Rennes në Francë ka dënuar në mungesë Konjarin bashkë me të 17 të pandehurit e tjerë, të cilët veç dënimit me burg janë dënuar dhe me një supergjobë në vlerën totale prej rreth 2 milionë e 650 mijë eurosh. Ai akuzohet për trafik lëndësh narkotike dhe vrasje në seri.