Deputeti i PS, Erion Braçe, ka reaguar ashpër pas rastit të domateve shqiptare që u kapën dhe u asgjësuan në Kroaci, pasi kishin pesticide mbi normën e lejuar.
Në një postim në rrjetet sociale, Braçe u ka bërë thirrje qytetarëve dhe mediave që të ndalojnë “histerinë” për helmimin nga prodhimet bujqësore, duke theksuar se ky është rasti i parë i tillë mes mijëra tonëve të eksportuara.
“Vetëm vitin e kaluar, Shqipëria i ka shitur Kroacisë 9 mijë tonë perime e fruta të shëndetshme. Këtë vit kemi shitur mbi 6 mijë tonë dhe ky është rasti i parë me ngarkesë pesticidesh mbi normë”, shkruan Braçe.
Megjithatë, ai ka kërkuar që çdo bujk i papërgjegjshëm të ndëshkohet siç duhet:
“Mbështes plotësisht ndëshkimin e çdo bujku që përdor pesticide mbi normë. Është krim me ushqimin dhe duhet të ndëshkohet!”
Braçe kujton se përdorimi i pesticideve është i ligjshëm në çdo vend, përfshirë Shqipërinë, për sa kohë bëhet sipas normave të caktuara. Ai thekson se edhe vendet fqinje, si Greqia apo Turqia, përdorin pesticide dhe nëse do t’u bëheshin analiza produkteve të tyre, prania e pesticideve do të ishte e dukshme.
Deputeti socialist kritikon edhe Ministrinë e Bujqësisë për heshtjen, duke i kërkuar të dalë me shifra e sqarime konkrete, si dhe të ndërhyjë urgjentisht për të mbështetur bujqit që po përballen me humbje të mëdha.
“Ndaleni histerinë, qetësohuni! Kemi prodhuar mirë, besojeni. Po, ka bujq që gabojnë dhe ata duhet të ndëshkohen. Por kjo nuk është arsye për të njollosur gjithë prodhimin vendas,” përfundon Braçe.