Ish-kreu i Fondit Monetar Ndërkombëtar, Dominique Strauss-Kahn ka ngritur një padi ndaj pastrueses së hotelit në New York, që e akuzoi atë 1 vit më parë për ngacmim seksual. Kahn do t’i kërkojë 1 milion dollarë dëmshpërblim shërbyese së hotelit, Natissatou Diallo, për shkak se me padinë e saj i ka shkaktuar dëme të rënda reputacionit të Kahn.

Bëhet fjalë për ngjarjen e ndodhur në maj të vitit 2011, kur Strauss-Kahn, në atë kohë kreu i Fondi Monetar Ndërkombëtar, u padit nga pastruesja e një hoteli në New York se e kishte detyruar të kryenin marrëdhënie seksuale me dhunë dhe pa dëshirën e saj.

Shefi i Fondit Monetar, që në atë kohë shihej si një nga rivalët më të mundshëm të Sarkozy në zgjedhjet presidenciale, u detyrua të jepte dorëheqjen për t’u vënë përpara drejtësisë amerikane në lidhje me skandalin seksual, edhe pse akuzat e Diallo u hodhën poshtë shumë shpejt si të pabaza dhe Kahn u lirua si i pafajshëm. Por kaq mjaftoi për të shkatërruar një herë e mirë reputacionin e tij si politikan duke i dhënë fund edhe karrierës së tij politike.

Ndërkohë shërbyesja e hotelit nisi një betejë gjyqësore civile ndaj ish-kreut të FMN, e cila ende vijon, por Kahn është duke u hetuar edhe për një çështje tjetër në Francë, ku ai dyshohet si i implikuar në një rrjet të shfrytëzimit të prostitucionit.

Kështu, 62-vjeçari, të cilin socialistët francezë shpresonin ta kishin si kandidat presidencial në zgjedhjet që sapo u mbyllën në Francë duke i dhënë fund edhe shanseve të tij për karrierë politike, kërkon 1 milion dollarë dëmshpërblim nga paditësja e tij për prishje të imazhit dhe dëme të tjera të shkaktuara si rezultat i padisë së saj.

16 maj 2012 (gazeta-Shqip.com)