Vdekja e biznesmenit italian Massimo Ferro, pas një ndërhyrjeje kirurgjikale për zvogëlimin e stomakut në një spital privat në Tiranë, është kthyer në objekt hetimi si nga Prokuroria e Tiranës, ashtu edhe nga autoritetet në Padova.

Sipas informacioneve, Ferro kishte udhëtuar drejt Shqipërisë për të kryer procedurën në Trita Hospital, pasi klinika i ishte rekomanduar si alternativë me kosto më të ulët – rreth 4 400 euro, krahasuar me një çmim shumë më të lartë në Itali. Operacioni u realizua më 18 dhjetor, por gjendja e tij shëndetësore u përkeqësua pas ndërhyrjes dhe ai u transportua me urgjencë në QSUT. Biznesmeni ndërroi jetë pak orë pas mbërritjes në repartin e reanimacionit.

Ndërkohë që familjarët kërkojnë zbardhjen e plotë të rrethanave, mediat italiane raportojnë se pas autopsisë së kryer në Shqipëri është kërkuar një ekzaminim i dytë. Sipas këtyre raportimeve, prokurorët italianë kanë ngritur dyshime mbi mënyrën e trajtimit të trupit.

Po sipas mediave italiane, gjatë ekzaminimit janë konstatuar mungesa të disa organeve, të cilat, sipas procedurave standarde të mjekësisë ligjore, zëvendësohen me materiale të posaçme pas autopsisë.

Burime pranë Mjekësisë Ligjore në Tiranë bëjnë me dije se procedura është kryer në përputhje me rregullat dhe standardet përkatëse. Priten rezultatet përfundimtare të analizave mjeko-ligjore, të cilat do t’i përcillen Prokurorisë së Tiranës për vijimin e hetimeve mbi rastin.