Në gjykimin për dosjen e njohur si “Plumbi i Artë”, dëshmitari Henrik Hoxhaj vazhdoi këtë të martë rrëfimin e tij duke zbardhur detaje mbi porositë për vrasje me pagesë, ndërsa foli për atentatin e dështuar ndaj biznesmenit Lulzim Masha në Tiranë.
Sipas Hoxhajt, porosia për këtë atentat i ishte dhënë nga Nuredin Dumani, i cili e kishte kontaktuar në Kosovë, konkretisht në Gjilan. Fillimisht, atentati ishte planifikuar për djalin e Lulzim Mashes, por pasi nuk u gjet, objektivi u ndryshua te vetë Masha.
“Porosia fillimisht ishte për djalin e Lulzim Mashes, por nuk e gjetëm. Nuredini më tha se vajza e Lulzim Mashes kishte qenë e fejuar me një nga vëllezërit Dizdari dhe pas ndarjes, Mashat nuk kishin kthyer disa para ose prona që Dizdaret kishin kaluar në emër të tyre”, deklaroi Hoxhaj.
Ai shtoi se arma për ngjarjen iu sigurua nga personi i quajtur “Sakati”, ndërsa Hoxhaj tha se kishte bërë prova të armës dy ditë para atentatit. Megjithatë, në momentin e ngjarjes, arma dështoi. Hoxhaj rrëfeu gjithashtu se gjatë ngjarjes dëgjonte çdo lëvizje përmes një radio-police dhe se Skerdi, bashkëpunëtori i tij, dështoi të ekzekutonte atentatin.
Për ngjarjen, sipas dëshmisë, pagesa e planifikuar ishte 150 mijë euro për djalin dhe 100 mijë euro për të atin, Lulzim Masha. Atentati ndodhi në Tiranë, në një datë të saktësuar gjatë procesit “Plumbi i Artë”, i cili po shqyrton rrjetin e porosive për vrasje me pagesë dhe ngjarjet kriminale të lidhura me to.


