Një 32-vjeçar është shpallur në kërkim, kurse miku i tij u mor nën akuzë, pasi akuzohen se kanë kërcënuar për të paguar 800 euro një të ri, për shkaqe dhe rrethana ende të panjohura. Policia e Korçës njoftoi sot se ka nisur hetimet për rastin, pas denoncimit të depozituar nga një 18-vjeçar.

Adoleshenti nga Pogradeci ka dëshmuar se ngjarja ka ndodhur teksa udhëtonte nga Selaniku për në Shqipëri, kur 32-vjeçari A.Sh., e ka telefonuar dhe e ka kërcënuar që të paguante M.B., 27 vjeç, me të cilin po udhëtonte me furgon.

“Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasin M. B., 27 vjeç, dhe shpallën në kërkim shtetasin A. Sh., 32 vjeç, banues në Pogradec, pas kallëzimit të bërë nga një 18-vjeçar. Dyshohet se 32-vjeçari ka kanosur nëpërmjet telefonit të riun, për t’i paguar një shumë prej 800 eurosh shtetasit M. B., me të cilin po udhëtonte me furgon nga Selaniku në Pogradec”, thuhet në njoftimin zyrtar.