Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka komentuar nismën ligjore të ndërmarrë nga Partia Socialiste për çështjen e pezullimeve, duke e lidhur këtë me rastin e zv.kryeministres Belinda Balluku. Gjatë një daljeje për mediat, Berisha theksoi se kryeministri Edi Rama po përpiqet të mbrojë veten dhe ministrat e tij, duke përdorur nismën ligjore për të manipuluar proceset dhe për të ruajtur pushtetin.
Kreu i PD-së pohoi gjithashtu se Shqipëria po kalon një periudhë të vështirë dhe ndodhet në një udhëkryq të rrezikshëm. Ai akuzoi qeverinë për keqqeverisje dhe përpjekje për të mbajtur kontrollin mbi institucione dhe sistemin e drejtësisë në vend, duke paralajmëruar se kjo mund të ketë pasoja të rënda për të ardhmen e Shqipërisë.
“Dorëheqja e Edi Ramës është kushti i të gjitha kushteve për t’i hapur rrugën zgjidhjes së udhëkryqit më të rrezikshëm ku ndodhet Shqipëria në të gjitha kohërat. Vetëm dorëheqja e këtij armiku të rrezikshëm të paqes dhe stabilitetit, kusht themelor për zgjidhjen e kësaj krize që po përpin vendin çdo ditë e më shumë. Rama për të mbrojtur krimet e tij monstruoze, vjedhjet e tij të pa llogaritshme, po kalon në veprimtari të tjera në asgjësimin e sistemit të drejtësisë në miratimin e ligjeve për të mbrojtur veten dhe bandën e tij plaçkitëse qeveri.
Amandamentet që kërkon të sjellë pas reagimit të fuqishëm dhe kartonit të zi që i nxorën në Buksel, kanë qëllim kryesor të mbrojnë personin Edi Rama dhe anëtarët e organizatës së tij kriminale. Pezullimi i zyrtarëve nga detyra për keqbërjen ndaj qytetarëve, është një ne, ligj, e drejtë ligjore kushtetuese e Prokurorisë e institucionit të akuzës së çdo vendi. Është një e drejtë që ligjvënësit i kanë njohur prokurorëve dhe gjykatësve për të mbrojtur interesat e qytetarëve”, tha ai.
