Në Vlorë, delegati politik i Partisë Socialiste, Bledi Çuçi, mblodhi sot këshilltarët bashkiakë për të diskutuar mbi pasuesin e Ermal Dredhës në krye të bashkisë. Ai kërkoi që deri ditën e hënë të propozohet një emër konkret, ndërsa vetë u shpreh se kandidatura më e përshtatshme, sipas tij, është Elis Halili.
Ky propozim, megjithatë, nuk u prit mirë nga një pjesë e këshilltarëve, të cilët theksuan se nuk e njohin Halilin dhe nuk mund ta mbështesin menjëherë.
Në takim mori pjesë edhe ish-kryebashkiaku Ermal Dredha, i cili shprehu keqardhje për dorëheqjen:
“Mund të kishim arritur më shumë, por kemi bërë më të mirën për qytetin”, tha ai.
Muajt e fundit Dredha ka qenë shpesh në qendër të kritikave të kryeministrit Edi Rama, i cili e ka akuzuar për menaxhim të dobët të bashkisë, sidomos për çështjen e mbetjeve dhe për performancën e drejtorëve lokalë. Në një nga mbledhjet, Rama e cilësoi hapur si një “Dritan Lela 2.0”, duke sinjalizuar hapur pakënaqësinë e tij.