Studentët dhe qytetarët e mbledhur në bulevardin kryesor të Tiranës vijojnë protestën, duke kërkuar largimin e kryeministrit Edi Rama nga detyra.
Protestuesit kanë nisur marshimin, ndërsa thirrjet “Dorëheqje, dorëheqje!” janë dëgjuar në kor përgjatë bulevardit.
Kjo është dita e nëntë e protestës, ku kërkesa kryesore mbetet dorëheqja e kreut të qeverisë. Pjesëmarrësit e akuzojnë Ramën për keqqeverisje dhe për skandale të shumta korrupsioni.
Nga ana tjetër, kryeministri ka shprehur gatishmërinë për dialog me studentët dhe qytetarët. Megjithatë, protestuesit kanë refuzuar këtë mundësi, duke argumentuar se nuk kanë besim te premtimet e tij dhe se nuk dëshirojnë të ulen në tryezë me kreun e qeverisë.
Ndërkohë, qytetarët vijojnë të qëndrojnë në bulevard, duke përsëritur kërkesën për largimin e Ramës.
