Është mbyllur dita e 31-të e revoltës qytetare në Tiranë, ku protestuesit kanë kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe largimin e qeverisë.

Nga ora 10:00 e mëngjesit deri në orët e vona të mbrëmjes, protesta u shndërrua në një maratonë rreth 12-orëshe, e fokusuar jo vetëm kundër qeverisë, por edhe ndaj opozitës politike.

Dita nisi përpara Kuvendit të Shqipërisë, ku u regjistruan përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë. Disa qytetarë u shoqëruan në komisariat, ndërsa pamjet e tensioneve dhe ndërhyrjeve policore u shpërndanë gjerësisht në rrjetet sociale.

Pas incidenteve, protestuesit u zhvendosën përpara Komisariatit nr. 1, ku pritën lirimin e të shoqëruarve. Me daljen e tyre, turma i priti me duartrokitje dhe brohoritje, duke akuzuar policinë për intimidim ndaj lëvizjes qytetare.

Në orët e pasdites, protesta u rikthye para Kryeministrisë, ku organizatorët dhe qytetarët mbajtën fjalime me tone të ashpra politike.

Më pas nisi marshimi i përnatshëm në rrugët e kryeqytetit. Ndalesa e parë ishte sërish para Kuvendit, ku protestuesit brohoritën slogane kundër policisë dhe institucioneve shtetërore.

Marshimi vijoi pranë selisë së Partia Demokratike e Shqipërisë, ku u dëgjuan thirrje kundër të dyja forcave politike kryesore, si dhe slogane që kërkonin ndryshim politik dhe largimin e klasës aktuale drejtuese.

Mbrëmja u mbyll para Kryeministrisë, aty ku protestuesit përfunduan tubimin me flamuj kombëtarë dhe thirrje kundër qeverisë.

Organizatorët kanë paralajmëruar se aksioni i radhës do të zhvillohet nesër në orën 10:00 përpara Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ku kanë njoftuar se do të dorëzojnë librin “The Albanian Files”, të firmosur nga protestuesit dhe të cilin e konsiderojnë si pjesë të kallëzimeve që synojnë të depozitojnë.