Kanë nisur largimet nga postet drejtuese në administratën shtetërore, pas kërkesës së kryeministrit Edi Rama për zëvendësimin e drejtuesve të institucioneve në varësi të ministrive.
Tre zyrtarë të lartë në institucionet që varen nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë kanë paraqitur dorëheqjen.
Bëhet fjalë për Besmir Bejën, drejtorin e Përgjithshëm të Doganave, Ilir Binajn, drejtorin e Përgjithshëm të Tatimeve, si dhe Etugert Llazin, drejtorin e Përgjithshëm të Qendrës Kombëtare të Biznesit (QKB).
Largimet vijnë pas kërkesës së kryeministrit drejtuar ministrave për të nisur procesin e ndryshimeve në drejtimin e institucioneve që kanë në varësi.
Mbetet për t’u parë nëse ky proces do të prekë edhe drejtues të tjerë të administratës shtetërore dhe cilët do të jenë emrat që do të marrin drejtimin e institucioneve pasuese.
