Kriza në Ukrainë
Brukseli arriti të bindë palët për një marrëveshje, ku Moska duket se del e humbur në ish-satelitin e vet
U deshën dhjetëra të vdekur, por Presidenti i Ukrainës, Viktor Janukoviç, pranoi dje kushtet e protestuesve të vendit për të pakësuar pushtetin e Presidentit në vend dhe për të kryer zgjedhje të parakohshme presidenciale brenda këtij viti. Diplomatët europianë duket se ia dolën të arrijnë të bindin Janukoviç për paqen ndërsa Polonia njoftoi se edhe protestuesit që kanë pushtuar Sheshin e Pavarësisë në Kiev e kanë pranuar marrëveshjen.
Janukoviç, i mbështetur nga Rusia, ofroi një seri lëshimesh për kundërshtarët e tij proeuropianë, përfshirë një qeveri të unitetit kombëtar, ndryshime kushtetuese për të pakësuar pushtetin e tij si dhe zgjedhje presidenciale.
Ai e bëri njoftimin në një deklaratë në faqen e internetit të Presidencës, pa pritur për një marrëveshje të firmosur me udhëheqësit e opozitës pasi së paku 77 njerëz u vranë në dhunën më të madhe që Ukraina ka parë në 22 vjet pavarësi.
“Nuk ka asgjë që ne nuk do ta bëjmë për të rivendosur paqen në Ukrainë”, tha ai. “Njoftoj se do të nis zgjedhje të parakohshme”. Ai pranoi që Ukraina të kthehet te një Kushtetutë e mëhershme brenda 48 orësh, nën të cilën Parlamenti ka më shumë kontroll mbi përbërjen e qeverisë.
“Po filloj procesin e rikthimit të Kushtetutës së vitit 2004 me një ribalancim pushtetesh drejt një republike parlamentare”, tha ai. “Thërras nisjen e procedurave për krijimin e një qeverie të unitetit kombëtar”.
Një nga udhëheqësit e opozitës, ish-boksieri Vitali Klitçko, tha për median gjermane se opozita do ta firmosë marrëveshjen e ndërmjetësuar nga BE por fillimisht duhet të kryejë bisedime të tjera me protestuesit në Sheshin e Pavarësisë.
Gjithsesi një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Polonisë tha se këshilli i protestuesve në shesh ka votuar në favor të marrëveshjes. Këshilli civil “ka votuar në favor të propozimit që tre udhëheqës të opozitës të firmosin marrëveshjen me Presidentin Janukoviç për zgjidhjen e konfliktit”, bëri të ditur Polonia përmes një mesazhi në rrjetin “Twitter”.
Ndërmjetësit europianë më herët patën thënë se opozita po kërkonte ndryshime të minutës së fundit, por që gjithsesi marrëveshja ishte pranë.
Rusia e humbur
Ukraina, një komb me 46 milionë banorë dhe me territor të madh e pjellor përballet me vështirësi ekonomike të shumta dhe me korrupsion të lartë. Ajo u gjend në mes të një lufte gjeopolitike mes Rusisë dhe Bashkimit Europian. Presidenti Janukoviç dukej se ishte pranë firmosjes së një marrëveshjeje të rëndësishme bashkëpunimi me Bashkimin Europian nëntorin e kaluar, por ndryshoi mendim në çastin e fundit dhe iu drejtua Rusisë, e cila i ofroi një paketë ndihmash prej 15 miliardë dollarësh në formën e kredive të buta si dhe ulje me mbi 30 për qind të çmimit të gazit që i shet këtij vendi. Ukraina varet nga gazi rus si burim i rëndësishëm energjetik dhe çmimi i gazit është një armë që Moska e ka përdorur në të shkuarën për presion politik. Por pavarësisht se nga pikëpamja financiare, oferta e Rusisë u duk më joshëse, ukrainasit shpallën se dëshironin afrimin me Bashkimin Europian, një ëndërr që i është mohuar këtij populli gjatë viteve të fundit, ku Brukseli nuk ka ofruar një axhendë të qartë drejt anëtarësimit, por ka folur më së shumti për miqësi dhe marrëdhënie speciale ekonomike. Nga nëntori i kaluar deri tani, me mijëra ukrainas nga i gjithë vendi rezistuan përballë policisë duke ngritur barrikada dhe duke kaluar praktikisht të gjithë dimrin nën qiell të hapur. Përgjatë ditëve të ftohta, çadrat e tyre në Sheshin e Pavarësisë u mbuluan nga dëbora e ngrica bashkë me helmetat e forcave policore që i ruanin.
Ukraina u përball me rrezikun e luftës civile, madje u përfol edhe për rrezikun e ndarjes së vendit mes zonave ukrainase dhe ruse.
Marrëveshja duket se është edhe një goditje për Presidentin rus Vladimir Putin, i cili u përpoq ta lidhte Kievin me fatin e Rusisë dhe disa republikave të tjera ish-sovjetike, në një projekt që duket se synon të krijojë një farë konkurrenti ekonomik ndaj Bashkimit Europian. Ai emëroi një të dërguar të vetin për të ndërmjetësuar në Ukrainë, por duket se ky ndërmjetës nuk pati ndonjë rol.
Ishin 48 orët e fundit që caktuan fundin e Janukoviç. Fati i Ukrainës u luftua në shesh dhe Janukoviç humbi mbështetjen me shpejtësi. Zëvendësshefi i Forcave të Armatosura të vendit dha dorëheqjen dhe deputetët e opozitës në Parlament votuan për të përmbysur disa ligje të ashpra antiterrorizmi të miratuara këtë muaj si dhe urdhëruan forcat e sigurisë të kthehen nëpër kazerma.
Ndërkohë Ukraina përballet me perspektivën e falimentimit financiar në borxhin e saj të jashtëm. Rusia nuk ka vendosur ende nëse do të blejë 2 miliardë dollarë bonde ukrainase.