Është vetëdorëzuar në polici Kamber Sulçaj, 48 vjeç, nga fshati Mesaplik i Vlorës, i dyshuar si autori i ekzekutimit të biznesmenit italian Edoardo Sarchi, ngjarje që tronditi opinionin publik pak ditë më parë.

Sulçaj është paraqitur në Drejtorinë Vendore të Policisë Gjirokastër, pas negociatave të gjata me forcat e rendit, ku ka pranuar përfshirjen në ngjarje dhe ka dorëzuar edhe armën e krimit, një armë zjarri që dyshohet se është përdorur për të qëlluar ndaj shtetasit italian.

Sipas burimeve nga grupi hetimor, motive të mundshme të krimit janë në hetim, ndërsa autoritetet po analizojnë pistën e mosmarrëveshjeve ekonomike ose konflikteve të mëparshme midis viktimës dhe autorit.

Ngjarja

Ngjarja ka ndodhur më 26 shtator në Salari të Tepelenës. Kamber Sulçaj ishte duke udhëtuar me makinë drejt stanit të tij në Salari. Rrugës ai është shkëmbyer me një makinë me të cilën po lëvizte Gazmend Braçi me disa miq të tij. Mes tyre ka nisur një debat për shkak të dritave të gjata që Braçi mbante, ndërsa Sulçaj e ka akuzuar se po e verbonte, duke sharë dhe fyerje në drejtim të tyre, debat verbal që ka vijuar për disa minuta.

Gazmend Braçi është nisur me makinë drejt shtëpisë së tij më Salari, por autori i dyshuar i vrasjes i ka ndjekur nga pas. Në një moment, makina e Braçit është prishur dhe ka telefonuar babanë e tij, Eqerem Braçi, dhe i ka kërkuar të shkonte ti merrte pasi makina i kishte lënë. Eqerem Braçi është nisur me dy makina, bashkë me italianin Sarchi.

Sapo kanë arritur atje, në drejtim të makinave është qëlluar me armë, kur një plumb ka prekur italianin. Për disa minuta, Kamber Sulçaj nuk i ka lënë të lëvizin, pasi ka vijuar të qëllojë në drejtim të tyre. Pasi është larguar, makinën e ka fshehur në një zonë të thellë poshtë një peme. 2 dëshmitarë që kanë kaluar rastësisht në rrugë me motoçikletë, dhe kanë dëgjuar sherrin, dhanë dëshminë kyçe që bënë të mundur identifikimin dhe shpalljen në kërkim të autorit. Ata kanë treguar se nuk kishin mundur të shihnin personat për shkak të errësirës, por kishin dëgjuar debatin mes tyre dhe më pas të shtënat e armës. Ata i thanë policisë tipin e automjetit të autorit, dhe targat, të cilat më pas përputheshin me pamjet e kamerave të sigurisë.

Dyshimet e mediave italiane

Media italiane Corriere Della Sera, në një artikull të publikuar së fundmi shkruante se ka shumë boshllëqe përsa i përket zbardhjes së këtij atentati mafioz; gruaja e tij shqiptare, e cila zotëron aksione në kompani, zgjodhi që ai të varrosej pa autopsi, si edhe misteri i armës së vrasjes dhe tre shokëve të tij mbetet i pazgjidhur.

Corriere, në shkrimin e saj ishte e sigurtë që ka qenë një vrasje por sipas saj “sipërmarrësi nuk është vrarë me armë zjarri, por e kanë rrahur brutalisht me shkop në kokë, dhe personi që kërkohet nga policia nuk ka lidhje me ngjarjen”.