Gjykata e Lartë ka lënë ish-drejtorët e Bashkisë së Tiranës, Mariglen Qato dhe Redi Molla.
Sipas vendimit, dy ish-drejtorët do të vijojnë qëndrimin në qelinë e paraburgimit. Qato dhe Molla akuzohen për “Shkelje të barazisë së pjesëmarrjes në tenderë” dhe “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”. Gjykata e Lartë rrëzoi rekursin e tyre për vendimin e dhënë nga Apeli në datë 31 korrik të këtij viti. Apeli i Posaçëm në muajin korrik la në fuqi vendimin e shkallës së parë, për masën “arrest në burg” ndaj Mollës dhe Qatos.
Redi Molla dhe Mariglen Qato prej muajit mars janë në qelinë e paraburgimit së bashku me Taulant Tushen, Julian Zanajn dhe Eglantina Zeren. Hetimi për këtë çështje nisi në vitin 2023, për disa vepra penale si “Shpërdorim detyre” dhe “shkelje e barazisë në tendera”, korrupsion dhe refuzim për deklarim të pasurisë.
Sipas prokurorisë së Posaçme, Qato dhe Molla janë pronarë të vërtetë të kompanisë “5D”, e cila sipas hetimeve, ka rezultuar fituese në disa tendera të organizuara nga bashkia e Tiranës. Bëhet fjalë për 11 procedura tenderimi në harkun kohor të gjashtë viteve, nga 2016 deri në vitin 2022.
Redian Molla gjatë kohës që ka qenë Drejtor i Përgjithshëm të shoqërisë “Ujësjellës Kanalizime Tiranë” sh.a, në 2016-2020, 5D Konstruksion” sh.p.k, ka marrë pjesë dhe është shpallur fituese në shkelje të rregullave të prokurimit publik në shtatë tendera, të realizuara nga kjo ndërmarrje.
Ndërsa në 2016-2018, Mariglen Qato, ortaku tjetër i 5D, ka ushtruar funksionin e Drejtorit të Departamentit Mbështetës në shoqërinë “Ujësjellës Kanalizime Tiranë” sh.a, subjekti tregtar i mësipërm ka marrë pjesë dhe ka fituar në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik në 4 tendera.
Në Korrik, SPAK vuri në sekuestro disa pasuri të paluajtshme të Qatos dhe Mollës dhe familjarëve të tyre. Nën sekuestro u vendos dhe shoqëria tregtare “5D Konstruksion” që dyshohet se është krijuar nga përfitimet e tenderave abuzive, “Restur shpk”, si dhe 24% e kuotave të shoqërisë tregtare “Mediterranean Investment Group”.




