Biznesmeni Orest Sota, i cili është arrestuar në kuadër të hetimeve të SPAK për dosjen “Aruba”, ka përfunduar në Spitalin e Burgut, pasi ka shfaqur probleme shëndetësore.

Ndërkohë, Gjykata e Posaçme e Apelit ka shqyrtuar kërkesën e tij për ndryshimin e masës së sigurisë, por vendosi të lërë në fuqi masën “arrest në burg”, duke rrëzuar pretendimet e mbrojtjes. Këta të fundit kishin argumentuar se gjendja e tij shëndetësore dhe mungesa e provave që e lidhin me aktivitetin kriminal justifikonin një masë më të lehtë sigurie. Megjithatë, trupa gjykuese vlerësoi se nuk ekzistojnë kushtet ligjore për ndryshimin e masës. Sa i përket gjendjes shëndetësore të Sotës apo arsyet konkrete që çuan në transferimin e tij në Spitalin e Burgut nuk janë bërë publike.

Sota u arrestua në kuadër të operacionit të SPAK për dosjen “Aruba”, e cila lidhet me një organizatë të dyshuar për trafik ndërkombëtar droge dhe pastrim parash. Hetimet vijojnë, ndërsa ai do të mbetet nën masën e sigurisë “arrest në burg”, edhe pse aktualisht po trajtohet në Spitalin e Burgut.

Vendimi i Gjykatës së Posaçme të Apelit:

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtar z. Dhimitër Lara, sot, më datë 30.07.2026, disponoi për çështjen penale nr. 32 akti, datë 21.07.2026 regjistrimi, dhe për çështjen penale nr. 32 akti, datë 21.07.2026 regjistrimi, të bashkuara sipas nenit 79 të K.Pr.Penale, mbi ankimet e personave nën hetim/ankuesve D.A., O.S., O.B., G.I., E.J. dhe L.B., në lëndë të masave të sigurimit, si vijon:

Miratimin e urdhrit nr. 44, datë 14.06.2026, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për të hetuarit z. O.S., z. D.A., z. E.J. dhe z. O.B. Miratimin e urdhrit nr. 46, datë 17.06.2026, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për të hetuarin z. L.B. U shpall më 30.07.2026.

Miratimin e Urdhrit nr. 44, datë 14.06.2026, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për të hetuarit z. Orest Sota, z. Dritan Aga, z. Edmond Jaupi dhe z. Orges Birçaj. Miratimin e Urdhrit nr. 46, datë 17.06.2026, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për të hetuarin z. Leonard Bishaj.”, thuhet në vendimin e Gjykatës.