Çështja e njohur si “Black Eagle”, që përfshin 34 persona të dyshuar për pjesëmarrje në një rrjet kriminal ndërkombëtar të trafikut të kokainës, ka hyrë në një fazë të re të përballjes ligjore në Gjykatën e Apelit të Brukselit. Mes të dyshuarve janë edhe disa shtetas shqiptarë, të lidhur me operacione trafiku dhe pastrim parash midis Amerikës Latine dhe Evropës nga viti 2018 deri në 2020.

Avokatët e njërit prej të akuzuarve për pastrim parash paraqitën para gjykatës argumentin se ndjekja penale ndaj klientit të tyre është e papranueshme, pasi dosja përmban vetëm përkthime të përafërta të dokumenteve të marra nga hetime të huaja, përkatësisht nga Italia dhe Spanja. Sipas tyre, kjo e bën të pamundur verifikimin e fajësisë dhe e cenon të drejtën për një proces të rregullt ligjor.

Gazmir V., një tjetër i akuzuar në këtë proces, përmes avokates së tij, Lucrezia Notarrigo, kërkoi që çështja ndaj tij të pushohet në bazë të parimit “non bis in idem” e drejta për të mos u gjykuar dy herë për të njëjtat fakte. Ajo kujtoi se klienti i saj ishte dënuar më parë në Antuerp për një rast të ngjashëm, dhe sipas saj, nuk ka asnjë provë që ai ka vazhduar aktivitetin kriminal pas asaj periudhe. Ajo theksoi se të dhënat telefonike nuk e lidhin me organizatën kriminale të përfshirë në rastin aktual.

Gjykata dëgjoi gjithashtu mbrojtjen e Ilir L., i cili akuzohet për menaxhimin e garazheve ku ruheshin automjete dhe kimikate të përdorura për përpunimin e drogës. Ai mohoi dijeninë për aktivitetet kriminale, duke deklaruar se ishte mashtruar nga punëdhënësi i tij, Indrit Kulaj, një ndër të dyshuarit kryesorë, bashkë me Alfredo Hamzain.

Në dosjen “Black Eagle” janë përmendur emra të shumtë nga Shqipëria dhe Kosova, të cilët, sipas prokurorisë belge, përbëjnë një rrjet të mirëorganizuar të trafikut të kokainës me lidhje të fuqishme ndërkombëtare dhe madje edhe me zyrtarë të korruptuar shqiptarë, të përmendur për përfitime marramendëse, si një orë 400 mijë euro, apo leje ndërtimi në Tiranë të mundësuar përmes takimeve sekrete në Antilet Holandeze.

Gjykata pritet të japë vendimin mbi pranueshmërinë e procedurave penale në javët në vijim, ndërsa rasti ka tërhequr vëmendje të lartë për shkak të përmasave të rrjetit dhe implikimeve të tij ndërkombëtare.