Gjyqi në mungesë për ish-zv.kryeministrin Arben Ahmetaj, në seancën e radhës, debate mes avokatit të ish-zyrtarit të lartë dhe prokurorit të SPAK. Në seancë të pranishëm edhe të dëmtuarit nga vepra penale, anëtarët e familjes Myderizi.

Avokati i Ahmetajt, Henrik Ligori, paraqet kërkesat për prova në lidhje me çështjen e Buka sh.a. Ahmetaj dyshohet për veprën penale shpërdorim detyre.

“Jam i autorizuar prej tij që të them se ai nuk e pranon akuzën, deklarohet i pafajshëm dhe se akuza është politike. Ne kërkojmë të pyetet me videokonferencë Arben Ahmetaj, ne kërkojmë të merren prova shkresore, të pyeten ekspertët që kanë bërë akt-ekspertimin teknik dhe kontabël. Të kërkojmë të pyeten si dëshmitarë Shkëlqim Cani, ish-ministër i Financave, e ish-zyrtarë të tjerë të Ministrisë së Financave, po ashtu edhe dëshmitarë të tjerë. Të lejohen prova dokumentare, të merren të gjitha aktet juridike në lidhje me Buka sh.a. e të tjerë.”– tha ai.

Gjykata i kërkon prokurorit të shpjegojë cilat janë veprimet dhe mosveprimet që ka bërë Arben Ahmetaj në lidhje me akuzën e shpërdorimit të detyrës.

“Janë vendimet e gjykatave që kemi depozituar, të cilat i kanë dhënë të drejtë familjes Myderizi. Vjen i pandehuri Ahmetaj përmes një urdhri ku i ka caktuar vetë dy ekspertë, ky akt-ekspertimi madje ka kontradikta. Më herët ish-ministrat Nasip Naço dhe Florian Mima nuk e kanë privatizuar këtë pronë. I pandehuri Arben Ahmetaj ka shkelur vendimin e Gjykatës Kushtetuese, i cili në vetvete është ligj”, u shpreh prokurori i SPAK, Elvin Gokaj.

Përfaqësuesi i familjes, Adrian Myderizi shprehet: “Shoh që avokati i Ahmetajt kërkon të ngatërrohen gjërat. Këtu ka një shkelje të pastër të detyrës së tij. Ne fituam gjyqin me Ministrinë e Ekonomisë me vendim të formës së prerë. Ne kundërshtuam mënyrën si u llogaritën aksionet e pronarëve; 1 m² tokë na e kanë llogaritur me 8 mijë lekë të vjetra, ndërsa çmimi i tregut është 1 mijë euro. Na dhanë 80 milionë lekë të vjetra. Bëhet fjalë aty ku ra zjarri pak ditë më parë, zonja gjyqtare. Bënë manovra pastaj për t’i hapur rrugë vjedhjes. Ahmetaj bëri atë që nuk bëri asnjë ministër tjetër, se kanë tentuar edhe të tjerë. Kjo është një vjedhje absurde. Kemi 30 vjet që kërkojmë pronën tonë në mënyrë të rregullt, fitojmë gjyqet dhe sot e kësaj dite nuk jemi aksionerë”.

Shtyhet seanca për në datën 27 janar, për t’i dhënë kohë prokurorit të SPAK të shprehet dhe të shqyrtojë provat dhe dëshmitarët e kërkuar nga mbrojtja e Ahmetajt.