Hetimet 


Prokuroria e Vlorës ka gati vendimmarrjen për transferimin e dosjes së gjashtë grabitësve të dhunshëm në Vlorë, anëtarë të rinj të bandës së re të Çoles, në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Megjithëse ende nuk është faktuar se të arrestuarit vepronin si grup i strukturuar kriminal, ata do të hetohen nga kjo prokurori, pasi akuzohen se kanë goditur forcat e policisë dhe ngjarja konsiderohet si vrasje për shkak të cilësive të veçanta, akuzë e cila hetohet nga Krimet e Rënda.


Burimet nga Prokuroria e Vlorës pohojnë se ka dyshime se ky grup ka kryer dhjetëra grabitje me armë dhe se hetimet e mëvonshme do të përcaktojnë nëse grupi, i kryesuar nga dy vëllezërit Leonard dhe Joni Idrizi, vepronin me paramendim. Policia, në momentin e arrestimit, pohoi se këta persona kryenin funksionin e një bande, pasi, përveçse studionin grabitjet, merrnin të dhëna për funksionimin e policisë.


Deri më tani, akuza ka faktuar veçse episodin e datës 22 gusht, kur tentuan të grabisnin një pikë karburanti. Për këtë ngjarje, akuza e ngritur nga Prokuroria e Vlorës, për të gjashtë personat, ishte “grabitje me armë”, si dhe “kundërshtim i forcave të policisë”, duke qëlluar në drejtim të policisë gjashtë plumba. Në aktakuzë rezultoi se: Rreth orës 03:00 të datës 22 gusht 2012, dy persona të armatosur dhe të maskuar me kapuç në kokë kanë shkuar në ambientet e karburantit “Alpet” përgjatë rrugës Transballkanike dhe nën kërcënimin e armëve tip kallashnikov kanë detyruar punonjësit e kësaj pike karburanti që të gjithë xhiron që kanë pasur me vete, t’ua dorëzojnë. Menjëherë është lajmëruar patrulla e policisë, e cila nuk ka vonuar as katër minuta për të shkuar te vendi i grabitjes. Ndërkohë, dy policët, të cilët dolën nga makina, sapo kanë tentuar të nxjerrin pistoletat, kanë parë se arma tip automatik është drejtuar nga ata dhe pa paralajmërim është qëlluar në drejtim të tyre. Policët, të cilët i kanë shpëtuar plumbave të armës, janë fshehur pas makinës dhe kanë pritur sa grabitësit të pushonin të shtënat dhe të largoheshin. Në automjetin e policisë janë gjetur pesë shenja plumbash, në krahun e majtë të saj janë gjetur katër, si dhe një vrimë në xhamin e parë dhe një në krahun e shoferit. Pasi janë larguar nëpër rrugicat e lagjes “Pavarësia”, dy personat që qëlluan në drejtim të policisë, gjithmonë me maskë në kokë janë afruar në këmbë te tregu në afërsi të godinës së sigurimeve shoqërore, ku pasi janë siguruar se nuk po i ndiqte askush, kanë hequr maskat dhe po largoheshin me hap normal. Ndërkohë kamerat e sigurisë së një biznesi aty pranë kanë fokusuar të gjithë momentin që dy personat po kalonin në këmbë me armë në dorë, por kësaj here pa maskë. Për të shpejtuar largimin nga vendngjarja, dy grabitësit kanë ndaluar një tregtar, i cili me një biçikletë po shkonte për te tregu i shumicës dhe i kanë marrë nën kërcënimin e armës biçikletën, e cila është gjetur më vonë nga policia.


 


 


Arrestimi


Pas ngjarjes, Leonard Idrizi së bashku me shokun e tij Marjo Metaj, janë strehuar në banesën e vëllezërve Elidon dhe Rexhino Aliut


Armando Likaj dhe Joni Idrizi janë kapur në kufirin mes Shqipërisë dhe Greqisë