Detaje të reja vijojnë të dalin nga dosja e Call Centerave në Tiranë. Sipas dosjes hetimore, Xhoni Hitaj 31 vjeç dhe Marsel Lami 29 vjeç, të dy në kërkim, me masë arresti me burg dhënë nga Gjykata e Tiranës, dyshohet se janë administratorët e call centerve. Hitaj, rezulton të ketë qenë i arrestuar më parë për “vrasje me dashje”, të mbetur në tentativë.

Në dosje thuhet se Xhoni Hitaj administronte 2 call center-a mashtrues të goditur të hënën nga prokuroria, policia dhe partnerët austriakë. Njërën në hyrje të rrugës së Kavajës, “Upstream creative”, ku në këtë ambient, dyshohet se ndodhej dhe zyra e të konsideruarit bosi i këtij rrjeti, Granit Pepnika, i cili nuk është kapur.

Hitaj gjithashtu administronte edhe call centerin që u zbulua pranë Kopshtit Zoologjik, “Magnolia Group”. Edhe Marsel Lami, në periudha të ndryshme nga vitit 2023 deri në 2025-ën, rezulton të ketë qenë administrator i disa call center-ave të regjistruar në QKB me emra të ndryshëm. Këto adresa sipas hetuesve, janë fiktive, për të humbur gjurmët, pasi në të vërtetë, si rezultuan nga kërkimet në terren, aktiviteti zhvillohej në vende të tjera nga ato të deklaruara.

I arrestuari tjetër, Xhoel Mekolli, sipas dosjes, rezulton të ketë punuar në periudha të gjata në këto call center, gati 3 vjet. Hetuesit zbuluan disa operatorë që dyshohej se punonin në call center, të cilët u vunë në përgjimë telefonik, por edhe me pajisjen gjurmuese të vendndodhjes IMSI Catcher, me qëllim lokalizimin e adresave të sakta ku dyshohet se ushtrohej veprimtaria e call centerave.

Kjo vështirësi e hetuesve për t’i gjetur zyrat ishte pikërisht prej adresave të gabuara me të cilat subjektet regjistroheshin në QKB. Nga rezultatet e këtij vëzhgimi punonjëset u panë të shkojnë në call centerin te Rruga e Kavajës, dhe atë pranë Kopshtit Zoologjik.

Aksioni ndaj Call Centerve u zhvillua ditën e hënë. Në ambientet e zbuluara në kryeqytet, ishin punësuar dhjetëra të rinj, të cilët kryenin thirrje drejt qytetarëve europianë, kryesisht nga Gjermania dhe Austria, duke i bindur të investonin në platforma financiare që rezultonin mashtruese. Gjatë operacionit u sekuestruan 443 kompjuterë; 238 telefona celularë; 6 laptopë; pajisje të tjera si HDD, DVR etj dhe një shumë e konsiderueshme monetare prej 891,735 euro.