Në një shkrim të publikuar nga BIRN, bëhet me dije se në dosjen e SPAK për Arben Ahmetaj është përmendur dhe emri i Damian Gjiknurit. 

Dyshohet sipas dosjes hetimore, se Klodjan Zoto ka bërë dy pagesa hotelesh për Gjiknurin, ndërkohë që pritet përfundmi i hetimeve për kontretizimin e këtyre detajeve. 

Nga ana tjetër në kuadër të kësaj akuze ka reaguar edhe vetë Gjiknuri për BIRN. 

“Të gjitha udhëtimet e mia jashtë vendit kanë qenë në linjat e zakonshme të fluturimit, vizita zyrtare në detyrën e ministrit. Fakte këto që mund të vërtetohen lehtësisht duke konsultuar dokumentet zyrtare të ministrisë: urdhër-shërbimet, qëllimin e udhëtimit, nisjen dhe destinacionin,” tha Gjiknuri.

“Referuar rastit konkret dhe datës të cilën ju e citoni për një udhëtim në Vjenë, ju siguroj se prokuroria, ministria të cilën unë drejtoja por edhe unë personalisht disponojmë praktikën e urdhër-shërbimit, biletat e avionit dhe rezervimin e hotelit ku kam fjetur, të gjitha të paguara me fatura nga institucioni që unë drejtoja si titullar. Për informacion, hoteli ku unë kam fjetur nuk është ai të cilit ju i referoheni por një tjetër. Të dhënat konkrete, emri i hotelit dhe pagesat janë pjesë e dokumentacionit që disponohet nga ministria përkatëse,” shtoi ai.

Gjiknuri nuk iu përgjigj pyetjes nëse është takuar me Mirel Mërtirin dhe Klodian Zoton, duke thë se do jap sqarime në prokurori, nëse do të thirret për të dëshmuar.

Mërtiri dhe Zoto janë aktualisht në arrati pasi kërkohen nga drejtësia shqiptare për korruptimin e një numri zyrtarësh të lartë, përfshirë ish-ministrin Lefter Koka dhe ish-deputetin Alqi Bllako, ndërsa së fundmi, nën akuzë përfundoi edhe ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj.