Gjykata Kushtetuese nuk do të shqyrtojë në seancë plenare kërkesën e Aleksandër Lahos, i njohur si “Rrumi i Shijakut”, i cili kërkonte shfuqizimin e vendimit të Gjykatës së Lartë që la në fuqi dënimin e tij me dy vite burg.
Laho pretendonte se vendimi i Kolegjit Penal ishte në kundërshtim me Kushtetutën dhe kërkonte që çështja e tij të rigjykohej.
Më 23 korrik 2025, Gjykata e Posaçme e Apelit ndryshoi vendimin për çështjen e tjetërsimit të 45 mijë metrave katrorë tokë në Gjirin e Lalzit, duke e dënuar me tre vite burg. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi u reduktua në dy vite burg.
Ai u shpall fajtor për veprën penale të korrupsionit aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike, kryer në bashkëpunim.
Ndërkohë, SPAK ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim një çështje tjetër ndaj Lahos dhe shtatë personave të tjerë, të dyshuar për përfshirje në një skemë të organizuar të tjetërsimit të pronave shtetërore në Durrës.
Sipas akuzës, Laho dhe Vullnet Muça dyshohet se kanë krijuar një grup të strukturuar kriminal, ku përfshiheshin edhe zyrtarë të Kadastrës.
Në kuadër të çështjes së pronës në Gjirin e Lalzit, Laho akuzohet se i ka dhënë 600 mijë lekë zyrtarit të Avokaturës së Shtetit, Irgen Kërçuku, dhe i ka premtuar edhe 300 mijë lekë të tjera, me qëllim që ky i fundit të mos apelonte një vendim për tjetërsimin e pronës publike.
Emri i Aleksandër Lahos është përmendur edhe në atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja, në vitin 2019, ku ai mbeti i plagosur.
