Ish-anëtarja e Rithemelimit dhe një prej bashkëpunëtoreve të ngushta të kreut të PD-së Sali Berisha gjatë fushatës që ai nisi për t’i marrë partinë Lulzim Bashës, Evi Kokalari ka bërë një kallëzim në SPAK për atë që ajo e quan “pengmarrje e PD-së nga familja Berisha”. Përmes një statusi në faqen e saj në Facebook, Kokalari shkruan se në kallëzimin ku ka përfshirë edhe Shkëlzen Berishën, Argita Malltezin dhe Albana Vokshin, ajo ka argumentuar se si është përdorur partia për interesa personale.

Reagimi i Kokalarit:

Sot në mëngjes kam bërë kallëzim penal në SPAK për marrjen peng të Partisë Demokratike nga familja Berisha dhe rrethi i tij, për arsye të qarta korrupsioni dhe për t’u përdorur si mburojë kundër vetë SPAK-ut.

Kallëzimi është kundër: Sali Berishës, Shkëlzen Berishës, Argita Malltezit, Albana Vokshit dhe disa të tjerë.

Kam shpjeguar në detaje se si u mor peng Partia Demokratike nga Kuvendi i 30 Prillit 2022 dhe si është përdorur për interesat personale të tyre. Jam në dispozicion të plotë të SPAK-ut për këtë çështje, si dhe për çdo çështje tjetër ku prokurorët e shohin të arsyeshme që unë mund t’ju nevojitem. Si e tillë, deri më sot kam marrë këto hapa:

1 – Kallëzim penal në SPAK

2 – Padi civile me kërkesë për masë sigurimi, tashmë e pranuar nga Gjykata (kërkohet pezullimi i Kuvendit të 23 Majit)

3 – Denoncim të detajuar pranë zyrës së Sekretarit të Shtetit Marco Rubio dhe zyrtarëve të tjerë të lartë amerikanë

4 – Email-update për zyrtarë të lartë të EPP-së

Për sa i përket Shqipërisë, me ndihmën e SPAK-ut dhe të Gjykatës, si dhe me mbështetjen nga jashtë të DASH-it dhe EPP-së, do ta izolojmë këtë kancer që ka pushtuar opozitën dhe, si pasojë, të gjithë politikën shqiptare.