Avokatët e kryetarit të arrestuar të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, kanë dorëzuar një kërkesë për zgjatje të afateve procedurale, me qëllim përgatitjen e prapësimeve ndaj hetimeve që po zhvillohen ndaj tij.
Sipas mbrojtjes ligjore, dosja hetimore është voluminoze, ndaj kërkohet më shumë kohë për t’u njohur në detaje me përmbajtjen dhe për të përgatitur reagimet përkatëse brenda kornizës ligjore. Ndërkohë, pritet që zhvillimet rreth hetimit dhe kërkesës për zgjatje afatesh të bëhen publike në ditët në vijim.
Dosja e SPAK për Erion Veliajn përbëhet nga 60 mijë faqe, me fashikuj të tërë hetimorë për akuzat në adresë të kryebashkiakut, bashkëshortes së tij Ajola Xoxa dhe personave të tjerë të pandehur mes tyre edhe 5 biznesmenë. Pjesë e dosjes së SPAK janë në total 30 persona, shoqëri dhe organizata jo fitimprurëse.