Ish-ministri i Kulturës, Ylli Pango, është paraqitur sot në Gjykatën e Posaçme (GJKKO), ku ka dëshmuar në kuadër të procesit të njohur si dosja “Partizani”.
Pango ka deklaruar se ngjarjet për të cilat po pyetet datojnë rreth 18 vite më parë, duke theksuar se nuk i kujton në detaje shumë prej tyre.
“Kam ushtruar funksionin e ministrit të Kulturës në periudhën mars 2007–mars 2009. Është shumë e vështirë të mbash mend një dokument apo një ligj pas kaq shumë vitesh, nëse nuk ka një arsye të veçantë”, është shprehur ai para trupit gjykues.
Gjatë dëshmisë së tij, Pango ka deklaruar se ka pasur në varësi disa institucione, mes tyre qendra të trashëgimisë kulturore dhe struktura sportive, por ka theksuar se nuk kujton procedura konkrete lidhur me administrimin e ish-kompleksit “Partizani”.
“Unë jam rritur në atë lagje, por nuk më kujtohet që të kem pasur rol të drejtpërdrejtë në këto çështje. Nuk mbaj mend nëse ka pasur apo jo shoqata të regjistruara apo procedura specifike”, është shprehur ish-ministri.
Ai shtoi se shumë prej informacionit që ka sot lidhet edhe me dokumente të publikuara më vonë në media, duke theksuar se kujtesa e tij për ngjarjet është e kufizuar për shkak të kohës së gjatë që ka kaluar.
Pjesë nga dëshmia e Ylli Pangos:
Unë nuk do flas me rezerva, por unë do flas sa mbaj mend. Unë kam mbuluar 4 sektorë. Mund të mbaj mend një ligj që kam iniciuar vetë. Këtu do të ketë gjë: Thuhet që një pjesë e mirë e “Partizanit” ka qenë e zaptuar ato kohë.
Në një nga mbledhjet e para të qeverisë, u kërkua të ecej me privatizimet.
Mua më rezultoi të kisha në varësi qendrën e derdhjes së monumenteve të kulturës, një qendër të arteve, si edhe kompleksin shumë sportësh.
Ajo pjesë që duhet të merrej nga ministria duhet të kishte një dokumentacion.
Që nga qeveria Nano është dhënë urdhri që të merrej nën administrim nga Ministria.
Unë jam rritur në atë lagje që fëmijë. Di që edhe pishina aty nuk funksiononte, për shkak se kishte një “pushtim”. Ju thashë që kjo është një memorie e ngjizur, nga çfarë mbaj mend, por edhe dokumente që kam lexuar më vonë, të publikuara në media.
Për të marrë në administrim këto objekte nga ministria nuk më kujtohet.
Edhe sa i takon faktit nëse ka pasur ose jo aktivitet klubi shumë sportësh “Partizani”, nuk më kujtohet.
Nuk e mbaj mend nëse ka qenë e regjistruar ndonjë shoqatë. Nuk kujtoj që po sulmohej apo përvetësohej ndonjë terren sportiv. Me sportin nuk kam pasur probleme.
Më shumë në fokus kam pasur turizmin dhe trashëgiminë kulturore.
Shtetasin Afrim Tola e kam dëgjuar si emër së fundmi. Nëse e shoh si fytyrë, mbase e kujtoj.
Ish-drejtoresha e sporteve, Violeta Shqevi më ka vënë në dukje se kishte kërkuar vijimin e një procedure për regjistrim, për shkak se një pjesë e territorit ishte rrethuar dhe disa prona ishin zaptuar. Më kujtohet se ma kanë përmendur oficerët në SPAK kur më kanë pyetur.
Violeta nuk e njihte mirë këtë problem nga ana juridike.
Nuk më kujtohet nëse kam bërë gjë 18 vjet më parë për shkak të asaj shkrese.
Nuk e di sipërfaqen e ish-kompleksit sportiv “Partizani”. Logjika që po kërkoj unë është që një ministër që mbulonte 4 sektorë nuk mund të kujtojë detaje të tilla.
