Gjykata e Lartë rrëzoi sot rekursin e kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, në lidhje me masën e sigurisë “detyrim paraqitjeje” që ka vendosur Apeli i GJKKO-së, në lidhje me e dosjen “Partizani”. E njëjta masë u la në fuqi, për arrest shtëpiak edhe ndaj dhëndrit të Berishës Jamarbër Malltezi.

“Mospranimin e rekursit të paraqitur nga kërkuesi Sali Berisha, kundër vendimit nr. 1 (87-2025-1), datë 03.01.2025, të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Lënien në fuqi të vendimit nr. 21 (87-2025-30), datë 24.01.2025, të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për Jamarbër Malltezi”, thuhet në vendimin e marrë.

Berisha ka deklaruar më herët se vendimi për masën e sigurisë “detyrim paraqitje” nga Apeli i Posaçëm për çështjen “Partizani” është një krim kushtetues. Ai është shprehur se prokurorët e SPAK kanë kërkuar vendosjen e masave të sigurisë kundrejt tij me arsyetimin se ai po sulmon Prokurorinë e Posaçme dhe gjykatën.

Berisha u lirua më 27 nëntor 2024, pas rreth një viti në arrest shtëpiak, për shkak të akuzave për përfshirje në dosjen “Partizani.” Ish-kryeministri është marrë i pandehur për korrupsion pasiv, bashkë me dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi, i cili vazhdon të jetë në arrest shtëpie.