Procesi gjyqësor ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, po i afrohet fazës përfundimtare. Prokuroria e Posaçme pritet të paraqesë këtë të mërkurë pretencën për të pandehurit e përfshirë në dosje, ndërsa çështja po shqyrtohet në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Të akuzuarit po gjykohen me procedurën e gjykimit të shkurtuar, çka nënkupton se procesi ka hyrë në etapën e fundit para shpalljes së vendimit.

Sipas SPAK, hetimet kanë nxjerrë në pah një skemë të dyshuar përfitimesh të parregullta, ku Erion Veliaj dhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, akuzohen se kanë përfituar në mënyrë të paligjshme para dhe pasuri nga subjekte private dhe organizata të ndryshme, të cilat më herët kishin përfituar leje ndërtimi apo fonde publike nga Bashkia e Tiranës.

Organi i akuzës pretendon se, në disa episode të veçanta, janë krijuar lidhje përfitimi mes vendimmarrjeve të institucionit vendor dhe interesave të subjekteve që më pas kanë mbështetur financiarisht organizata ose struktura të lidhura me persona pranë çiftit Veliaj-Xoxa.

Sipas dosjes hetimore, fondet e miratuara nga Bashkia e Tiranës dyshohet se kanë përfunduar te organizata jofitimprurëse dhe persona të lidhur me Ajola Xoxën. Po ashtu, SPAK pretendon se janë siguruar prova që flasin për përfitime në formën e pasurive të paluajtshme nga kompani që kanë pasur marrëdhënie kontraktuale ose kanë përfituar leje dhe fonde nga bashkia.

Në përfundim të hetimeve, Prokuroria e Posaçme ka ngritur një sërë akuzash ndaj Erion Veliajt dhe bashkëshortes së tij, ndërsa vlerëson se veprimet e dyshuara përbëjnë elementë të korrupsionit pasiv dhe aktiv, sipas dispozitave përkatëse të Kodit Penal. Ndërkohë, procesi vijon në GJKKO, ku pritet të përcaktohet përgjegjësia penale e secilit prej të pandehurve.