Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, ka vlerësuar progresin e Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, duke e cilësuar ecurinë e negociatave si mbresëlënëse.

Gjatë fjalës së mbajtur në samitin BE-Ballkani Perëndimor, Von der Leyen theksoi se zgjerimi i Bashkimit Europian përbën një interes strategjik për kontinentin, veçanërisht në kushtet e zhvillimeve të shpejta ndërkombëtare. Ajo nënvizoi se Shqipëria po avancon me ritme të kënaqshme drejt objektivit të anëtarësimit, ndërsa Mali i Zi është gjithnjë e më pranë përfundimit të negociatave.

Kreu i Komisionit Europian bëri të ditur se përparimi në reformat e kërkuara po sjell rezultate konkrete për vendet e rajonit. Sipas saj, zbatimi i Planit të Rritjes ka shënuar përmirësim të ndjeshëm, pasi niveli i përmbushjes së hapave të reformave është rritur nga 38% një vit më parë në 63% aktualisht.

Në këtë kuadër, gjatë javëve në vijim pritet të çlirohen edhe 338 milionë euro për Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut, si rezultat i reformave të realizuara.

Von der Leyen u ndal edhe te integrimi gradual i vendeve të Ballkanit Perëndimor në tregun e përbashkët europian, duke theksuar se qytetarët nuk duhet të presin anëtarësimin për të përfituar nga lehtësitë e bashkëpunimit me BE-në.

Ajo përmendi përfshirjen e katër vendeve të rajonit në SEPA, që mundëson transferta më të shpejta dhe me kosto më të ulët, si dhe nisjen e negociatave për nismën “Roam Like at Home” me Shqipërinë, Kosovën, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut.

Presidentja e KE-së paralajmëroi gjithashtu se në fillim të vitit të ardhshëm do të nisin dialogët për integrimin gradual me secilin prej partnerëve të Ballkanit Perëndimor, me synimin për të identifikuar mundësi të reja për përfshirjen e tyre në tregun e vetëm europian.

Në përfundim, ajo theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes vendeve të rajonit, duke vënë në dukje se suksesi i procesit të zgjerimit duhet të matet përmes përmirësimit të jetës së qytetarëve, krijimit të mundësive të reja për të rinjtë dhe zhvillimit të bizneseve përtej kufijve.