Lirimi nga qelia i dy të arrestuarve lidhur me vrasjen e ndodhur në gusht të këtij viti në fshatin Pirg, për familjarët e 14-vjeçarit të vrarë është një padrejtësi.

Babai dhe xhaxhai i autorit të vrasjes së 14-vjeçarit Erald Xhejo, pas rreth 5 muajsh në burg me akuzën e fshehjes së krimit u lanë në arrest shtëpie nga gjykata e apelit në Tiranë.

“Ne kërkojmë drejtësi, deri dje kishim besim tek drejtësia por nuk e di se cfarë mund të bëhet. Nuk e di argumentin, nuk ka dalë vendimi akoma, thjesht një gjyqtare nga Tirana i ka nxjerrë. Avokati tha që për 5 ditë del vendimi ndërkohë kanë kaluar 10 ditë dhe akoma. As ne nuk e dimë përse i ka liruar.”

Prindërit e 14-vjeçarit që u vra nga bashkëmoshatari I tij, kërkojnë drejtësi duke thënë se do e ndjekin deri në fund çështjen.

“Prokuroria kërkoi në fillim burg për të tre këta persona kur tani marrim vesh që ishin liruar, kishin bërë kërkesë në gjykata e apelit në Tiranë. Si mund ta ndjekim këtë çështje?! Vetëm me ligj, me drejtësi, nëqoftëse ka drejtësi. Ju bëjmë apel institucioneve ne sa të kemi jetë me këtë çështje do meremi. Ne kemi besim tek drejtësia por edhe shumë jo. Duam të merren institucionet sepse po ndodhin shumë gjëra, si rasti i djalit tonë po ndodhin shumë, ndodhi edhe ajo në Durrës, kanë ndodhur edhe të tjera”

Eraldo Xhejo u vra nga një tjetër 14 vjeçar në fshatin Pirg të bashkisë Maliq, pasi Enedio Guri e goditi për vdekje me thikë pas një konflikti.