Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale një foto nga protesta e sotme në Hagë, ku qindra shqiptarë kërkuan drejtësi për ish-krerët e UÇK-së.

“Drejtësi pra drejtësi, vetëm drejtësi, asgjë më shumë se sa drejtësi dhe asgjë tjetër përveç drejtësisë, për Kosovën dhe Çlirimtarët e Saj”, shkruan Rama në postimin e tij.

Qindra qytetarë shqiptarë u mblodhën pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë për të mbështetur ish-presidentin Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi dhe ish-deputetin Rexhep Selimi, të arrestuar pesë vite më parë.

Siç raporton i dërguari i Top Channel, Muhamed Veliu, qyteti holandez u vesh kuqezi, ndërsa protestuesit mbanin pankarta me mesazhe si: “Lironi çlirimtarët, kriminelët janë në Serbi”, “Ne kërkojmë standard, jo justifikime”, “Gjykatës, dëshmoni integritet”, “UÇK-ja bëri luftë çlirimtare”, “Liri për luftëtarët e lirisë”, “Kosova viktimë, Serbia agresore”, e të tjera.

Tubimi u zhvillua një ditë para se mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së të nisë paraqitjen e provave dhe dëshmitarëve. Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi ndodhen në paraburgim në Hagë që prej 4–5 nëntorit 2020.

Procesi gjyqësor ka nisur në prill 2023. Zyra e Prokurorit të Specializuar ka thirrur 125 dëshmitarë dhe ka paraqitur rreth 3.000 prova materiale. Sipas aktakuzës, katër ish-drejtuesit akuzohen për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, përfshirë vrasjen e mbi 100 personave, si dhe mbajtjen në paraburgim të paligjshëm dhe torturimin e qindra viktimave.