Gjykata angleze ka refuzuar të arrestojë një shtetas anglez, të dyshuar si të përfshirë në vrasjen e Ardian Nikulajt. Autoritetet shqiptare e kanë shpallur në kërkim shtetasin Harry Simpson, por drejtësia angleze nuk e ka parë të bazuar në prova dhe fakte konkrete arrestimin e tij.

Simpson është lokalizuar në Britaninë e Madhe dhe është kërkuar arrestimi i tij, por gjykata ka refuzuar ta firmosë urdhër arrestin. Ky vendim vjen pasi hetuesit shqiptarë nuk kanë dorëzuar prova të mjaftueshme, që implikojnë Simpsonin në këtë ngjarje.

Ndërkohë, 4 personat e tjerë janë arrestuar dhe sot kanë dalë para gjykatës për seancën e radhës. Edmond Haxhia, Steven Hunt, Thomas Mithan dhe Harriet Bridgeman kërkojnë liri me kusht kundrejt bllokimit të pasaportës, monitorimit elektronik, paraqitjes çdo javë në një stacion policie dhe garancive pasurore.

Prokuroria është kundër kësaj kërkese të tyre dhe insiston në ekstradimin e këtyre personave për të ardhur dhe për tu përballur me drejtësinë shqiptare. Ndërkohë, në kërkim mbetet Ruben Saraiva, vrasësi i Ardian Nikulajt në mesditën e 19 prillit në resortin “Coral” në Shëngjin. Ai dyshohet se është ende në Greqi.