Një 28-vjeçar shqiptar është dënuar me tetë vite burg në Britaninë e Madhe, pasi u shpall fajtor për drejtimin e një grupi kriminal që merrej me furnizimin dhe shpërndarjen e kokainës.
Muharem Hekali u dënua nga Gjykata e Boltonit, pasi pranoi akuzat për komplot për furnizim me drogë të klasit A, posedim të kokainës me qëllim shpërndarjeje dhe posedim të parave të përfituara nga aktiviteti kriminal. Sipas autoriteteve hetimet nisën në shtator 2025, kur gjatë një kontrolli në një banesë në Atherton u zbulua një ambient i përshtatur për përgatitjen dhe paketimin e kokainës. Aty u sekuestruan qindra doza droge, peshore elektronike, mbi 9 mijë paund cash dhe lista me organizimin e shpërndarësve.
Analiza e telefonave celularë zbuloi se Hekali drejtonte grupin kriminal, duke koordinuar shpërndarësit dhe furnizimin me drogë. Pas arrestimit të tij në shkurt 2026, policia gjeti edhe mbi 850 gramë kokainë të fshehur në banesën e tij, si dhe 5 mijë paund të tjera. Sipas policisë, gjatë periudhës së aktivitetit kriminal, Hekali kishte prodhuar mbi 53 mijë doza kokaine, me një vlerë të përllogaritur në treg prej më shumë se 1.67 milionë paundësh. Në të njëjtin operacion u dënuan edhe dy bashkëpunëtorët e tij, Nikolaos Giousoufidis dhe Christos Kompos, të cilët në muajin prill morën nga tre vite e gjysmë burg për përfshirje në të njëjtin rrjet të trafikut të kokainës.
