Këtë të diel po mbahet masa e sigurisë personale për 3 vajzat që dhunuan 17-vjeçaren në Fier, për të cilat prokuroria ka ngritur akuza për “Heqje të paligjshme të lirisë”. Nëna e vajzës 15-vjeçare për të cilën u kërkua shtrim i përkohshëm në spitalin psikiatrik thotë se nuk kanë pasur njohje me familjen e 17-vjeçares së dhunuar. Po ashtu nëna thotë se nuk i njihte as dy vajzat e tjera me të cilat e bija kishte shoqëri. Po ashtu, ajo thotë se ende nuk e ka takuar vajzën, për të cilën shton se ka pasur probleme të vazhdueshme dhe në shkollë dhe se kthehej në shtëpi në orët e vona të natës.

“Nuk dimë asgjë për gjendjen e vajzës, ndaj jam shqetësuar shumë sepse nuk kam asnjë informacion për analiza apo të tilla. E kam takuar 2 herë vajzën në spital.

Vajza nuk kishte rroba të reja apo telefon, vetëm ato që i blinim ne. Kur vinte në shtëpi në orët e para të mëngjesit nuk më tregonte ku ishte, më thoshte isha me shoqe. Shoqet e vajzës nuk i njihja as prindërit e tyre. I njoha në polici.

Me prindërit e vajzës së rrahur nuk kam pasur fare kontakt.

Ne kemi 1 vit që kemi shkuar në polici disa herë. Në shkollë vajza nisi të ketë shqetësime. Drejtoria e shkollës na nxorri jashtë ne si prindër dhe vajzën, na tha zhdukeni jashtë.

Psikologia qeshte me ne. Vajzën e çuam në një shkollë tjetër por ajo nuk pranonte. Vajza e ka denoncuar edhe babanë për dhunë.
Unë kërkoj kurim të plotë për vajzën si dhe dua informacione për gjendjen e saj”, u shpreh ajo.

Prokuroria ka kërkuar masat e sigurimit personal ‘Arrest me burg’ për shtetasen L.L., ‘Arrest në shtëpi’ për shtetasen e mitur K.G., dhe ‘Shtrim i përkohshëm në një institucion psikiatrik’ për shtetasen e mitur në konflikt me ligjin M.R. të gjitha të dyshuara për kryerjen e veprës penale ‘Heqja e paligjshme e lirisë’ e parashikuar nga neni 110 i Kodit Penal, kryer në bashkëpunim