Burrel
Sipas kallëzimit, Bruçi i kishte kërkuar Ballabanit një vend pune për të shoqen
Ardian Bushi
Të kërkosh vend pune për mësuesi mund të të kushtojë shumë. Burri i një mësueseje është kërcënuar me jetë, pasi drejtori rajonal i Arsimit dyshohet se i ka drejtuar pistoletën, kur bashkëshorti në nevojë kishte kërkuar që të emëronte gruan e tij në një vend të lirë në një shkollë në qytet. Ngjarja është denoncuar në qytetin e Burrelit, ndërkohë që pas kallëzimit, policia ka nisur hetimet.
Kallëzimi
Xhemal Bruçi nga qyteti i Burrelit, ka bërë një kallëzim penal, në Policinë e Matit për drejtorin e Drejtorisë Arsimore në Burrel, Lefter Ballabani, ku pretendon se ai është kërcënuar me armë nga ana e Ballabanit. Sipas kallëzimit të Bruçit, “disa herë i është bërë kërkesë Lefter Ballabanit, me detyrë drejtor i Drejtorisë Arsimore në Mat, që bashkëshortja ime, duke qenë sa ka punuar për një periudhë kohore shtatëvjeçare në fshat, ka dy kurse pasuniversitare dhe ka mbaruar masterin, të transferohet si mësuese në një nga shkollat e qytetit. Në të gjitha rastet jemi përcjellë nga ana e Lefter Ballabanit në mënyrë abuzive”.
Konflikti
Më tej, denoncuesi deklaron se para një muaji u hap vendi i punës në shkollën nëntëvjeçare “Ilia Çipi” në qytetin e Burrelit në profilin histori-gjeografi, për të cilin është e diplomuar bashkëshortja e tij. “E kam takuar disa herë për këtë vend pune drejtorin e arsimit, Lefter Ballabani, por në çdo rast, ai është treguar mospërfillës. Rreth orës 08.00, të katër ditëve më parë, isha me ambulancë dhe po kaloja para hotel ‘Turizmit’ të qytetit. Në atë moment vura re se po kalonte në këmbë edhe drejtori i Drejtorisë Arsimore, Lefter Ballabani. Unë i rashë borisë dhe ndalova ambulancën ta takoja për ta pyetur në lidhje me problemin e bashkëshortes. Ai nuk ndaloi dhe vazhdoi rrugën indiferent. I fola, prit një minutë po deshe, për një sqarim”, ka treguar në polici Bruçi. Sipas tij, drejtori nuk ka ndaluar, duke thënë “kam zyrë unë”. “Nisur nga sjellja e mësipërme dhe arrogante për zgjidhjen e problemit tim u irritova dhe e fyeva duke i thënë ‘ti je burrë i poshtër dhe i pabesë’ dhe u largova. Ai nuk foli, unë shkova dhe u ula për të pirë kafe në verandën e një lokali, në pronësi të shtetasit Durim Ishi. Në lokal jam ulur me shtetasin Mehmet Sugja, banor i qytetit. Pas gjysmë ore erdhi jashtë në verandën e lokalit Marjus Kurti, i cili është shofer i drejtorit të Arsimit dhe vëlla i nuses së Lefterit”, deklaroi ai në polici.
Kërcënimi
Sipas tij, Marjusi i ka thënë ‘të doja një minutë’. Unë i thashë hajde në lokal. Marjusi erdhi dhe unë bashkë me shokun tim, Mehmet Sugja u ulëm brenda në lokal në një tavolinë me Marjusin. Ai më hapi bisedën me kërkesën që unë kisha bërë për transferimin e bashkëshortes . I thashë Marjusit se mua më ka sorollatur kaq kohë dhe më ka fyer keq me moszgjidhjen e problemit. Në këtë moment ka hyrë në derën e lokalit Lefter Ballabani, nxori nga brezi një pistoletë TT, e mbushi dhe u afrua në drejtimin tim. Në momentin para se të mbushte amën, ai iu drejtua Marjusit, ‘Çohu, lëre atë, se e zgjidh unë këtë punë’. Në atë moment u ngritën menjëherë nga tavolina dy bashkëqytetarët Gani Kosita dhe Hysni Duli si dhe Marjusi dhe iu hodhën Lefterit, e kapnin për të mos qëlluar ndaj meje. Menjëherë, Lefteri vazhdoi me fjalët kërcënuese ‘do të ……robt etj’. Unë i thashë ‘qëllo vrit’, por dije se unë kam edhe tre vëllezër të tjerë mbrapa. Në atë moment, Marjusi i mori pistoletën e futi në brez dhe e nxori Lefterin nga lokali. Unë u ula përsëri në tavolinë ku isha me Mehmetin. Më pas erdhën edhe vëllezërit e mi për këtë ngjarje dhe vendosën të paraqitem në polici për të bërë kallëzimin”, pretendon burri i mësueses.
Deklarata
Nga sjellja arrogante për zgjidhjen e problemit tim u irritova dhe e fyeva duke i thënë “ti je burrë i poshtër dhe i pabesë”
Çështja
E kam takuar disa herë për këtë vend pune drejtorin e Arsimit, Lefter Ballabani, por në çdo rast, ai është treguar mospërfillës