Drejtori i Ujësjellësit të Elbasanit, Luan Tabaku, dyshohet se është sulmuar fizikisht nga dy persona në qendër të qytetit. Ngjarja raportohet se ka ndodhur rreth orës 10:45 të së dielës, më 6 shtator, por është bërë publike katër ditë më vonë.

Burime pranë Policisë së Elbasanit bëjnë të ditur se Tabaku nuk ka paraqitur kallëzim për sulmin. Sipas tyre, uniformat blu janë vënë në dijeni vetëm pas raportimeve në media dhe kanë nisur verifikimet përkatëse.

“Në DVP Elbasan nuk është depozituar asnjë denoncim për rastin dhe nuk ka pasur referim nga Prokuroria. Jemi njohur me informacionet e publikuara në media dhe po kryejmë veprimet tona. Megjithatë, për sa kohë nuk ka një kallëzim apo referim zyrtar, nuk mund të ndërmerren hapa të tjerë proceduralë”, është qëndrimi i Policisë.

Sipas informacioneve paraprake, Tabaku është goditur nga dy persona, të cilët dyshohet se kanë përdorur edhe sende të forta. Si pasojë e sulmit, drejtori i Ujësjellësit të Elbasanit raportohet se ka pësuar dëmtime serioze, përfshirë dy fraktura në kokë.

Si autorë të dyshuar përmenden Endri Çopja dhe Horgito Peqini, të dy persona me precedentë penalë. Deri tani, megjithatë, nuk ka një konfirmim zyrtar nga autoritetet për përfshirjen e tyre dhe as persona të ndaluar.

Rrethanat dhe motivet e ngjarjes mbeten ende të paqarta. Një nga pistat që po verifikohet lidhet me një konflikt të mundshëm për çështje punësimi. Dyshohet se Tabaku kishte larguar nga puna në Bashkinë e Elbasanit bashkëshorten e Endri Çopjas dhe se ky vendim mund të ketë shkaktuar përplasjen. Edhe kjo pistë mbetet e pakonfirmuar.

Policia po vijon verifikimet për identifikimin e personave të përfshirë dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes, ndërsa pritet një reagim zyrtar nga autoritetet.