Me dhimbjen e madhe të humbjes së djalit të saj, nëna e 20-vjeçarit Joan Zuko ka njoftuar ceremoninë mortore, e cila do të zhvillohet më 11 gusht, në orën 12:00.

Në një dedikim prekës, Ornela Zuko i drejtohet të birit duke e cilësuar atë si “frymën” e saj, dritën e syve dhe pjesën më të shtrenjtë të zemrës.

“Me zemrën e copëtuar dhe me dhimbjen më të madhe që mund të mbajë shpirti i një nëne, në pamundësi për t’iu përgjigjur të gjithëve, ju njoftojmë se më 11 gusht, në orën 12:00, do t’i japim lamtumirën e fundit birit tim të vogël, dritës së syve të mamit”, shkruan ajo.

Më tej, nëna e 20-vjeçarit shpreh dhimbjen e saj për humbjen e të birit, duke shtuar: “Biri im, ti do të mbetesh përjetësisht fryma ime, dashuria ime më e madhe dhe pjesa më e shtrenjtë e zemrës sime”.

“Mami nuk do të të harrojë kurrë dhe do të të mbajë brenda shpirtit deri në frymën e fundit. U prehsh në paqe, engjëlli i mamit!”, përfundon dedikimin e saj Ornela Zuko.

Joan Zuko, 20 vjeç, kishte shërbyer për më shumë se një vit si ushtar me pagesë. Rreth dy muaj më parë, ai kishte lënë detyrën, pasi planifikonte të udhëtonte drejt Anglisë, ku ndodhej vëllai i tij.

I riu u vra pasditen e së shtunës në Korçë. Për ngjarjen është arrestuar bashkëmoshatari i tij, Kristjan Sterjo, i cili mësohet se ishte edhe shok i fëmijërisë me Zukon.

Sipas dëshmisë së dhënë nga Sterjo, konflikti mes dy të rinjve lidhej me përplasjet e vazhdueshme dhe pretendimet për dominancë në lagje. Hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vijojnë.