Procesi
Dritan Dajti akuzon gjykatën se po shkel ligjin penal dhe të drejtën e tij për një proces të rregullt ligjor. Në seancën e së mërkurës, ai e quajti të pambështetur në ligj vendimin e gjykatës që ai të zgjedhë vetë mbrojtësin nga lista e avokatëve kryesisht të gjykatës. Sipas tij, kjo është e drejtë ekskluzive vetëm e trupës gjyqësore t’i gjejë një mbrojtës. Gjykata nuk e pranoi kërkesën e tij dhe në kushtet kur në sallën e gjyqit dy avokatët e thirrur nga gjykata nuk u paraqitën, Dajti u largua. Ai vijon të kërkojë nga gjykata caktimin e një mbrojtësi kryesisht në kushtet kur pretendon se ka pamundësi financiare të paguajë një mbrojtës. Kjo ishte seanca e 211 gjyqësore që dështon në Gjykatën e Krimeve të Rënda, ndaj një prej të pandehurve më të rrezikshëm që akuzohet për vrasjen e 4 punonjësve të policisë.